Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, braktisi të mërkurën punimet e samitit të NATO-s në Bruksel, ku merrnin pjesë mbi 50 ministra Mbrojtjeje.
Lëvizja e tij u konsiderua si një tjetër shenjë e tërheqjes së Uashingtonit nga mbështetja që ofronte për Ukrainën kundër agresionit rus.
Për herë të parë që kur Amerika krijoi grupin ndërkombëtar për të koordinuar ndihmat ushtarake për Kievin 3 vjet më parë, një shef Pentagoni braktis një takim të rëndësishëm.
Mungesa e Hegseth në samitin e Grupit të Kontaktit për Ukrainën u konfirmua për Euronews nga një zëdhënës i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, që si argument paraqiti agjendën e ngarkuar të sekretarit.
Hegseth është zëvendësuar nga ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker.
Grupi i Kontaktit për Ukrainën u krijua nga paraardhësi i Hegseth, Lloyd Austin, dhe mbi 50 vende pjesëmarrëse kanë mbledhur rreth 126 miliardë dollarë në formë armatimesh dhe asistence ushtarake për vendin e përfshirë nga lufta, me 66.5 miliardë që janë ofruar nga vetë Shtetet e Bashkuara.
Por, që kur presidenti Donald Trump rimori detyrën në janar, nga pala amerikane nuk ka pasur asnjë njoftim për ndihma ushtarake për Ukrainën.
Hegseth ia dorëzoi lidershipin e Grupit të Kontaktit Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në muajin shkurt, kur dhe deklaroi se Uashingtoni nuk do të luante më një rol kyç në takimet mujore.
Ministrat e Mbrojtjes së vendeve të NATO-s pritet të finalizojnë këtë javë propozimet për rritjen e shpenzimeve ushtarake nga 2 në 5 për qind të GDP-së, në prag të samitit të liderëve të Aleancës që mbahet në fund të qershorit në Hagë, e ku Trump pritet të marrë pjesë