Prishtinë, 4 qershor 2025 – Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas aksionit të fundit të njësitit antidrogë të Policisë së Kosovës, i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe INTERPOL-in, që çoi në arrestimin e 22 personave të dyshuar për trafikim me narkotikë.
Në mesin e të arrestuarve është përmendur edhe emri i Shemsi Bahtirit, aktivist i kësaj partie. Menjëherë pas verifikimit të informatës, LVV ka njoftuar për largimin e tij të përkohshëm nga partia.
“Në këtë mënyrë, për korrektësi, në përputhje me Statutin dhe rregullat e brendshme, Komisioni ynë disiplinor ka marrë vendim për largimin e personit me emrin e njëjtë. Ky vendim qëndron në fuqi deri në sqarimin dhe verifikimin e plotë nëse bëhet fjalë për të njëjtin person me atë të organeve të drejtësisë”, thuhet në reagimin zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Partia thekson se distancohet nga çdo veprim i kundërligjshëm dhe rithekson përkushtimin për bashkëpunim me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.
Operacioni i gjerë policor, i cili përfshiu disa lokacione brenda dhe jashtë vendit, konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj rrjeteve të trafikimit të drogës në vitet e fundit. Hetimet vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.