Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka mirëpritur qëndrimin e Bashkimit Evropian mbi procesin e liberalizimit të energjisë elektrike në vend, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për adresimin e problemeve që kanë shoqëruar këtë reformë.
Sipas një komunikate për media, DhTIK ka deklaruar se liberalizimi i tregut energjetik është përcjellë me shumë mangësi dhe shkelje. Konkretisht, marrëveshja mes KEK-ut dhe KESCO-s është vlerësuar si e papajtueshme me legjislaturën e BE-së dhe me parimet e konkurrencës së lirë, ndërkohë që edhe Bashkimi Evropian ka mu=endime se procesi ka shumë të meta dhe ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur këtë proces me 28.2 milionë euro.
DhTIK ka bërë të ditur se ka ngritur padi kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke kërkuar trajtimin ligjor të shkeljeve të evidentuara në këtë proces. Njëkohësisht, Dhoma e Tregtisë ka ngritur shqetësimin mbi ndikimin negativ të këtyre vendimeve në bizneset vendore, duke paralajmëruar pasoja serioze në qëndrueshmërinë e tyre dhe humbjen e vendeve të punës.
Për këto arsye, DhTIK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të reflektojë mbi situatën e krijuar dhe të ndërmarrë hapa për zgjidhjen e problemeve të liberalizimit të energjisë, duke siguruar një proces të drejtë dhe në përputhje me standardet evropiane.