Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur sot për të ardhmen e Dardan Shabanhaxhajt, një prej emrave të përfolur së fundmi për një mundësi përfaqësimi të “Dardanëve”.
Në një prononcim gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes miqësore ndaj Armenisë, Foda konfirmoi se Federata dhe stafi teknik kanë qenë në kontakt me lojtarin, por theksoi se vendimi përfundimtar i takon atij
“Ne flasim me shumë lojtarë të cilët janë potencial që ta përfaqësojnë Kosovën. Ndër ta ka qenë edhe Dardani”, u shpreh Foda, duke konfirmuar interesimin për futbollistin që aktualisht luan në Austri.
Trajneri gjerman theksoi se bisedat me lojtarët që kanë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesen janë pjesë e një procesi të natyrshëm dhe konfidencial
“Ato janë bisedë mes nesh dhe mbetet të shihet se për kë do të vendosë ai të luajë në të ardhmen”, shtoi ai, duke lënë derën hapur për një përfshirje të mundshme të Shabanhaxhajt në të ardhmen, nëse lojtari vendos të përfaqësojë Kosovën.
Shabanhaxhaj, që më parë ka qenë pjesë e përfaqësueses U21 të Austrisë, është një nga emrat që ka tërhequr vëmendje me paraqitjet e tij në futbollin evropian, dhe përfshirja e tij në Kombëtaren e Kosovës do të përbënte një përforcim të rëndësishëm në repartin ofensiv.