Ligji i miratuar nga qeveria hungareze në vitin 2021, i cili ndalon përmbajtjet që lidhen me personat LGBTQ+ në shkolla dhe në media gjatë orarit të transmetimit për publikun e gjerë, përbën një shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe të lirisë së shprehjes.
Ky është përfundimi i opinionit ligjor të Avokates së Përgjithshme të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED), Tamara Ćapeta.
Ligji, i paraqitur nga autoritetet hungareze si një masë për “mbrojtjen e fëmijëve”, ndalon përfshirjen e përmbajtjeve që lidhen me personat homoseksualë dhe transgjinorë në tekstet mësimore, programet televizive, filmat dhe reklamat që transmetohen para orës 22:00. Kritikët e kanë krahasuar këtë akt ligjor me ligjin famëkeq rus kundër “propagandës homoseksuale”.
Në mendimin e saj 69-faqësh, Ćapeta thekson se ligji nuk mbështetet në prova shkencore, por në paragjykime dhe vlerësime subjektive. Sipas saj, kjo qasje përforcon një ide të rrezikshme se jeta e personave homoseksualë dhe transgjinorë nuk ka të njëjtin vlerë apo status me atë të personave heteroseksualë.
“Efekti stigmatizues i këtij ligji krijon një klimë armiqësie ndaj personave LGBTI, duke ndikuar ndjeshëm në identitetin, vetëvlerësimin dhe vetëbesimin e tyre, veçanërisht te të miturit. Mungesa e informacionit mbi jetën LGBTI në hapësirën publike i pengon këta të rinj të kuptojnë se jeta e tyre nuk është jonormale, duke ndikuar në pranimin e tyre në shoqëri,” shkruan ajo.
Avokatja e Përgjithshme përfundon se, ndonëse pretendohet se ligji synon mbrojtjen e fëmijëve, në realitet ai i dëmton ata dhe përbën një shkelje serioze të dinjitetit njerëzor, të drejtës për jetën familjare dhe të parimit të mosdiskriminimit – të garantuara nga Traktatet e BE-së dhe Karta e të Drejtave Themelore.
Ajo gjithashtu vlerëson se ligji është në kundërshtim me rregullat e Bashkimit Evropian për tregtinë dhe shërbimet audiovizive, të cilat ndalojnë kufizimet ndaj mediave nga ana e qeverive, përveç rasteve kur ekziston një interes publik i qartë dhe i justifikuar.
Megjithëse opinioni i Avokatit të Përgjithshëm nuk është detyrues për gjykatën, vendimet përfundimtare të GJED zakonisht pasqyrojnë këtë linjë argumentimi.
Pas miratimit të ligjit, Komisioni Evropian nisi një procedurë ligjore kundër Hungarisë. Kritikët kanë theksuar se ligji, pjesë e një pakete më të gjerë për “mbrojtjen e fëmijëve”, barazon përmbajtjen LGBTQ+ me abuzimin ndaj fëmijëve, gjë që konsiderohet veçanërisht stigmatizuese.
Në prill të këtij viti, parlamenti hungarez miratoi një amendament kushtetues që ndalon organizimin e ngjarjeve Pride dhe lejon përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës për identifikimin dhe ndëshkimin me gjoba të pjesëmarrësve.
Mbi 17 shtete anëtare të BE-së, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë nënshkruar një letër të përbashkët të iniciuar nga Holanda, duke dënuar ligjin dhe kërkuar që Hungaria të ndërmarrë ndryshime. Shumica e këtyre shteteve, së bashku me Parlamentin Evropian, janë bashkuar me Komisionin Evropian në procesin ligjor kundër Budapestit. Qeveria hungareze ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar ndaj opinionit të Avokates së Përgjithshme.