Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore të partisë Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, në një takim ku u diskutuan zhvillimet më të fundit politike në vend.
Në fokus të diskutimeve ishte mos-konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe sfidat që kanë shoqëruar këtë proces.
Abdixhiku ritheksoi propozimin e LDK-së për krijimin e një Qeverie të Unitetit si një zgjidhje e përkohshme për tejkalimin e ngërçit politik dhe rikthimin e funksionalitetit të institucioneve shtetërore.
Ai theksoi se bllokada aktuale është e papranueshme dhe se dështimi për herën e 27-të në krijimin e shumicës parlamentare tregon mungesën e stabilitetit qeverisës, duke u bërë rrezik për mirëqenien e qytetarëve dhe proceset shtetërore.
Gjatë bisedës, Abdixhiku dhe Ambasadori Malaj ndanë qëndrimin e përbashkët për nevojën e forcimit të marrëdhënieve vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si një shtyllë të rëndësishme për zhvillimin rajonal dhe avancimin e interesave të përbashkëta.
LDK shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Shqipërisë dhe u angazhua për vazhdimin e ndërtimit të urave të bashkëpunimit në të gjitha fushat.