Kuvendi i Shqipërisë ratifikon marrëveshjen për bashkëpunim me Ukrainën

by Nexhat

Kuvendi i Shqipërisë e ka ratifikuar të enjten marrëveshjen e nënshkruar me Ukrainën për bashkëpunim dhe mbështetje afatgjatë, e cila ishte arritur në janar të këtij viti në Davos të Zvicrës.

Ministri për Evropën dhe Çështje Evropiane i Shqipërisë, Igli Hasani, ka bërë të ditur se marrëveshja synon që, në përputhje me kapacitetet e saj, Republika e Shqipërisë të ofrojë mbështetje politike, ushtarake, teknike, mbrojtëse dhe humanitare për Ukrainën, si pjesë e angazhimeve dypalëshe dhe ndërkombëtare.

banner

“Shqipëria e ka treguar qartë se është në anën e lirisë dhe të drejtës ndërkombëtare”, ka deklaruar ministri Hasani.

Në seancën parlamentare, ai ka thënë se prej fillimit të agresionit të paprovokuar rus ndaj Ukrainës – të nisur në shkurt të vitit 2022 – Shqipëria ka qëndruar qartë se është në anën e ligjit, të drejtës ndërkombëtare dhe të popullit ukrainas.

“Si vend anëtar i besueshëm i NATO-s, marrim përgjegjësitë e nevojshme në mbrojtje të rendit ndërkombëtar që garanton paqen dhe lirinë për të gjithë”, ka thënë mes tjerash ai.

Autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se përmes kësaj marrëveshjeje, Shqipëria do të angazhohet në katër fusha kryesore: siguri dhe mbrojtje; llogaridhënie dhe drejtësi ndërkombëtare; ndihmë humanitare dhe rindërtim; dhe reagim në rast përshkallëzimi, për të garantuar që është e përgatitur dhe në bashkëpunim në çdo skenar.

Shqipëria e ka dëshmuar edhe në të kaluarën mbështetjen e saj për Ukrainën, përfshirë edhe përmes organizimit të samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore”, i cili është mbajtur në shkurt të vitit të kaluar në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Në fund të samitit, pjesëmarrësit patën miratuar një deklaratë prej 12 pikash, përmes së cilës kanë vlerësuar se se agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane, dhe është në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara, si dhe është krim kundër popullit ukrainas

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy