Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të organizatave joqeveritare që veprojnë në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbikëqyrjes institucionale.
Gjatë diskutimeve, fokusi kryesor ishte moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe pasojat që kjo situatë ka në funksionimin e institucioneve demokratike dhe jetën e qytetarëve.
Presidentja Osmani shprehu shqetësimin e saj mbi vonesat e krijuara, duke theksuar se mungesa e konstituimit të Kuvendit dëmton kredibilitetin institucional dhe e pengon përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.
Në këtë kontekst, Presidentja ritheksoi përkushtimin e saj për garantimin e funksionalitetit institucional dhe për veprim në përputhje me Kushtetutën, gjithmonë në interes të qytetarëve të Kosovës.
Ajo u shpreh e gatshme për të vazhduar dialogun me shoqërinë civile, me qëllim ruajtjen e rendit demokratik dhe forcimin e institucioneve përfaqësuese të vendit.
Ky takim vjen në një periudhë kur bllokada politike në Kuvend ka shkaktuar debate mbi nevojën për zgjidhje të shpejtë dhe efektive për të siguruar funksionimin normal të institucioneve.