Autori i emisionit ‘Debat Plus’, Ermal Panduri, ka sjellur para publikut një hulumtim që shfaq keqpërdorime të papara në çështjen e energjisë elektrike në Kosovë, ku thotë se janë të përfshirë shumë aktorë të rëndësishëm dhe vendimmarrës.
Në këtë hulumtim Panduri ka thënë se shihet qartë kapja totale e një prej institucioneve kryesore të energjisë – KOSTT-it.
Pozicionet kyçe në këtë institucion mbahen nga persona që kanë lidhje direkte ose indirekte me zyrtarët më të lartë të shtetit dhe pushtetit.
Përveç tjerash Panduri ka thënë se bëhet fjalë për një garancion bankar.
Ky garancion bankar milionësh, nga viti i ardhshëm do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin më të madh të faturave, që do ta paguajnë qytetarët ka thënë Panduri.
Ai tutje ka treguar se është hulumtuar dhe analizuar gjatë ku del se ky veprim i KOSTT-it është jashtëzakonisht i dyshimtë.
Por, KOSTT-i nuk është i vetëm ka thënë Panduri duke shtuar se këtu përfshihen thellë edhe Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave, me në krye shefat e tyre.
‘’Puna shkon deri tek Kuvendi i Kosovës, që po del se nuk ka qenë fare në dijeni se një organ që do duhej t’i përgjigjej atij, ka lëshuar një fletëgarancion bankar për një operator privat’’, ka thënë ai.
Tutje Panduri ka thënë se nga taksat tona shteti i jep garancion në bankë – një privati.
”Bëhet fjalë për Ankandin Solar 100 MW, që ishte i pari i shpallur nga institucionet e Kosovës’’, ka thënë ai duke shtuar se do të sqarohet pikë për pikë në rrjedhën e pjesës së parë të emisionit “Debat Plus”.
Panduri duke shpalosur hulumtimin lidhur me skandalin me energji elektrike ka thënë se pas Rregullatorit të Energjisë(ZRRE), KOSTT-i apo Operatori i Sistemit, Tregut dhe Transmisionit konsiderohet si ndërmarrja kryesore në tregun e energjisë elektrike në Kosovë.
Ai ka treguar se KOSTT-i planifikon, operon, mirëmban dhe zhvillon sistemin e transmetimit ose bartjes së energjisë eklektike.
KOSTT është përgjegjës për transmetimin e energjisë edhe nëpër rrjedha ndërkufitare – pra me shtetet fqinje.
Gjithashtu, Panduri ka thënë se KOSTT është përgjegjës për nxitjen e konkurrencës për prodhim dhe furnizim me energji elektrike.
KOSTT është institucion që kujdeset për lidhjen e prodhuesve me konsumatorët.
Për më tepër, me vendim të ZRRE-së, KOSTT-i i kryen detyrat e Operatorit për Energji të Ripërtërishme.
‘’Thënë shkurt, KOSTT-i është i përfshirë dhe ka rol pothuajse në gjithçka në sektorin e energjisë ne Kosovë’’, ka thënë Panduri.