Emilie Kiser, influencuese me 1.7 milion ndjekës në Instagram, ka ndërmarrë një veprim ligjor për të mbajtur të mbyllura pamjet dhe dokumentet që lidhen me vdekjen tragjike të djalit të saj 3-vjeçar, Trigg.
Vogëlushi u gjet pa ndjenja më 12 maj dhe ndërroi jetë në spital më 18 maj, siç konfirmoi policia për revistën People.
Një betejë ligjore për privatësi dhe dinjitet
Më 3 qershor, Gjykata e Lartë e Arizonës në Maricopa County pranoi kërkesën e Kiser për të mbajtur deklaratat e saj personale konfidenciale, ndërkohë që gjykata shqyrton nëse do t’i mbajë të gjitha provat jashtë syve të publikut.
Një burim ekskluziv për People tha se deklarata e saj personale “përshkruan thellësisht pikëllimin dhe traumën që ajo po përjeton” dhe se kjo dëshmi është paraqitur vetëm për të ndihmuar gjykatën të kuptojë perspektivën e saj, jo për publikun.
“Çështjet ligjore mbeten të qarta përmes dokumenteve publike, ndërsa dëshmia e Emilie-s e mbyllur nuk pengon transparencën e çështjes. Ky është një përpjekje për të ruajtur një grimcë privatësie në mes të një vëmendjeje mediatike të pamëshirshme,” – tha burimi.
Një tragjedi që ka ngjallur kuriozitet publik të tepruar
Policia e Chandler konfirmoi se Trigg u shtrua në spital pas një incidenti mbytjeje më 12 maj dhe vdiq më 18 maj. Vetëm një javë pas tragjedisë, Kiser depozitoi padi për të mbajtur të fshehta dosjet hetimore, ndërsa mbi 100 kërkesa për të pasur akses në këto dokumente u paraqitën nga publiku.
Sipas dokumenteve gjyqësore, familja e saj dëshiron “me dëshpërim të kalojë dhimbjen në mënyrë private, por publiku nuk i lejon.” Ata e quajtën vdekjen e Trigg “një çmenduri mediatike”.
“Ka pasur kërkesa për të parë pamje të momentit tragjik të mbytjes, që nuk shërbejnë për drejtësi, por vetëm për kureshtje të sëmurë,” shton burimi.
Ngacmime dhe ndërhyrje nga mediat dhe fansat
Gjendja është bërë aq e rëndë, saqë fansa të obsesionuar dhe media kanë rrethuar shtëpinë e Emilie-t, kanë filmuar nga dritaret, kanë dërguar pako të paautorizuara dhe madje kanë kontaktuar familjarët me numra privatë. Madje, disa media shpallën vdekjen e Trigg para se të konfirmohej zyrtarisht.
Në kohën e incidentit, Emilie nuk ndodhej në shtëpi. Një burim i afërt thekson se ajo nuk duhet të detyrohet ta përjetojë vazhdimisht këtë tragjedi për shkak të presionit publik.
Një thirrje për dinjitet njerëzor
“Qëllimi nuk është të mbahen informacione të fshehta, por të mbrohet dinjiteti i një fëmije dhe të lejohet familja të marrë frymë dhe të shërohet në privatësi,” u shpreh burimi për People.