Një projektrezolutë që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm në Gaza nuk u miratua të mërkurën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pasi Shtetet e Bashkuara e bllokuan atë me veto, pavarësisht mbështetjes së dhjetë anëtarëve të zgjedhur të Këshillit.
Teksti i projektrezolutës u mbështet nga Algjeria, Danimarka, Greqia, Guajana, Pakistani, Panamaja, Republika e Koresë, Sierra Leone, Sllovenia dhe Somalia, të njohura si grupi E-10, dhe mori 14 vota pro, ndërsa SHBA-ja hodhi votën e vetme kundër, duke e penguar miratimin e saj.
Si një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit, SHBA ka të drejtën e vetos, duke bllokuar automatikisht çdo rezolutë që nuk gjen konsensus.
Projektrezoluta kërkonte një armëpushim “të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm në Gaza” dhe riafirmonte thirrjen e mëparshme të Këshillit për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe grupe të tjera.
Drafti shprehte shqetësim për krizën humanitare në Gaza, duke theksuar rrezikun e urisë për shkak të bllokadës së ndihmës, ndërsa bënte thirrje për heqjen e menjëhershme të kufizimeve mbi hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare.
Ambasadorja amerikane në OKB mbrojti vendimin e SHBA-së, duke deklaruar se Washingtoni nuk mund të mbështeste një masë që nuk dënon Hamasin dhe nuk kërkon çarmatosjen e tij.