Në prag të përballjes miqësore ndaj Armenisë, që zhvillohet të premten nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, përfaqësuesi i Kosovës, Mërgim Vojvoda, u paraqit në konferencën për shtyp me tone pozitive dhe mesazhe inkurajuese për të ardhmen e ekipit.
Dueli me Armeninë është vetëm i pari nga dy testet që “Dardanët” do të kenë këtë muaj, pasi më 9 qershor do të përballen edhe me Kombëtaren e Komoreve, po ashtu në Prishtinë dhe në të njëjtin orar.
Për Vojvodën, këto miqësore janë shumë më tepër se vetëm ndeshje për statistikë.
“Shpresojmë të fitojmë, të vazhdojmë me pozitivitet. Është rast i mirë për futbollistët e rinj ta tregojnë veten,” theksoi mbrojtësi kosovar, duke vënë në pah rëndësinë që këto sfida kanë për të testuar dhe integruar elementët e rinj në skuadër
Ai foli gjithashtu për ndryshimet që ka sjellë trajneri i ri, gjermani Franco Foda, në krahasim me periudhën e kaluar nën drejtimin e trajnerit spanjoll, Cesc Fabregas, tek Como – ku Vojvoda aktualisht luan në nivel klubi.
“Janë dy trajnerë krejtësisht ndryshe. Ai (Fabregas) është spanjoll dhe ka metodën e vet. Në klub kemi më shumë kohë për të punuar bashkë. Ndërsa Foda ka stil tjetër pune. Por, loja e Fabregasit më pëlqen shumë, dhe shpresoj të vazhdoj tek Como,” u shpreh ai, duke dhënë një krahasim mes dy filozofive të ndryshme taktike.
Në fund, Vojvoda u ndal edhe te sfidat kualifikuese që e presin Kosovën në grupin me Zvicrën, Suedinë dhe rivalët e tjerë.
“Është proces i ri dhe shpresojmë që të marrim pikë ndaj Zvicrës dhe Suedisë. Besoj se kemi treguar lojë të mirë në të kaluarën dhe shpresoj që këtë herë të na prijë fati e të fitojmë,” përfundoi ai
Tifozët e Kosovës tashmë janë me sytë nga përballjet që do të shërbejnë si një pasqyrë e qartë e gjendjes aktuale të skuadrës para ndeshjeve zyrtare që e presin.