Një incident ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në qytetin e Suharekës, ku një person është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi kishte kanosur zyrtarët policorë në shenjë pakënaqësie pas marrjes së një tikete.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, personi i dyshuar ka reaguar në mënyrë agresive dhe ka kërcënuar zyrtarët policorë, pas një ndalese të zakonshme gjatë të cilës i ishte shqiptuar një tiketë për kundërvajtje.
“Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Rasti është cilësuar si “kanosje ndaj personit zyrtar”, dhe organet e rendit kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Policia e Kosovës vazhdon të bëjë thirrje për respektim të ligjit dhe të autoriteteve, duke theksuar se çdo sulm verbal apo fizik ndaj zyrtarëve policorë do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në përputhje me ligjet në fuqi.