Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke përcjellë një mesazh të mbushur me urime për paqe, harmoni dhe begati në çdo familje.
Në urimin e saj, presidentja theksoi rëndësinë shpirtërore dhe njerëzore të kësaj feste, duke e cilësuar atë si një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta që bashkojnë njerëzit. Ajo nënvizoi se Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit – vlera që sot kanë më shumë rëndësi se kurrë në një botë që përballet me sfida të shumta.
“Kjo festë shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, na kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh”, u shpreh Osmani.
Presidentja uroi që gëzimi, shëndeti dhe dashuria të jenë pjesë e çdo familjeje gjatë kësaj feste, duke shtuar se Kurban Bajrami duhet të shërbejë si burim frymëzimi për ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritshme, të mbështetur mbi dhembshurinë dhe respektin e ndërsjellë.
“Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë”, përfundoi ajo.

