Artistja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha, një nga zërat më të njohur në muzikën pop dhe një figurë e dashur për publikun ndërkombëtar, ka ndarë një seri rrëfimesh personale në InstaStory që kanë prekur ndjekësit e saj në mbarë botën.
Me një ton të sinqertë dhe të guximshëm, Bebe ka hapur zemrën për sfidat, padrejtësitë dhe betejat e brendshme që ka përjetuar gjatë karrierës në industrinë muzikore.
“Kohët e fundit kam menduar shumë për rrugëtimin tim në muzikë. Dashuria ime më e madhe në jetë ka qenë të shkruaj këngë dhe t’i performoj ato. Por diku gjatë rrugës, gjithçka pushoi së qeni e thjeshtë”, shkroi ajo në fillim, duke treguar një reflektim të thellë për fillimet dhe ndjesitë e saj të hershme artistike.

Ajo vijoi më tej:“Gjithmonë kishte shumë ‘kuzhinierë në kuzhinë’. Shumë opsione. Dhe unë jam pjesërisht fajtore sepse doja të kënaqja të gjithë. Vetëm doja të fitoja, por e humba veten. Kur përpiqesh të ndjekësh ‘hite’, e hollon identitetin tënd”.

Në një tjetër shkrim, Bebe tregoi më shumë për pasojat emocionale që kjo situatë pati tek ajo: “U dekurajova. U ndjeva e heshtur. U dorëzova. Edhe pse ndjej se fansat e mi më besnikë e kanë kuptuar çfarë po ndodhte”.

Një nga deklaratat më të forta ishte ajo ku ajo fliste për padrejtësitë që artistët përjetojnë shpesh pas dyerve të mbyllura: “Ka pasur raste kur jam ndier e anashkaluar. Më kanë mbajtur pas. Qëllimisht. Jo për shkak të talentit apo përkushtimit tim, por për shkak të politikave. Sepse nuk kam ledhatuar egot. Sepse isha ‘e vështirë’, vetëm pse mbroja veten time. U ndëshkova për vite”.

Duke folur për artistët që nuk kanë fatin të rikthehen, ajo shtoi: “Ajo që më thyen zemrën janë artistët që heshtën ose u lanë mënjanë – dhe disa prej tyre nuk kthehen më kurrë”.

Por Bebe nuk e mbylli rrëfimin me pesimizëm. Ajo e përforcoi vendosmërinë dhe forcën e saj me fjalë që shërbejnë si frymëzim për shumë të tjerë: “Por jo unë… Unë jam luftëtare. Dhe do ndalem vetëm kur të vdes – ose kur të zgjedh vetë të ndalem. Jo sepse disa njerëz me pushtet mendojnë se mund të më shkruajnë historinë”.


Në fund, ajo ndau edhe një mesazh shprese e rilindjeje artistike: “Ky është një kapitull i ri. Dhe unë po e marr sërish lapsin në dorë për të shkruar historinë time. Jam shumë e emocionuar për fillimin e diçkaje të re. S’mund të pres ta ndaj me ju”.

Në një nga mesazhet e saj të fundit, Bebe e përmbylli këtë seri reflektimesh me një deklaratë ku theksoi se ky kapitull i ri nuk ka të bëjë me hakmarrje, por me rilindje: “Kjo nuk ka të bëjë me hakmarrje. Ka të bëjë me rilindje. Për ata që janë anashkaluar, heshtur dhe quajtur të ‘nënvlerësuar’ – hahaha. Unë nuk kam përfunduar. Thjesht po filloj”.

Këto rrëfime vijnë në një kohë kur Bebe Rexha ndodhet në Evropë, për një sërë koncertesh që do të mbajë gjatë sezonit veror. Kjo duket të jetë një fazë e re për këngëtaren – jo vetëm artistike, por edhe shpirtërore. Ajo po kthehet tek vetja, tek origjina e pasionit të saj: muzika e ndershme, autentike dhe pa kompromis.