Nënkoloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gezim Sada, ka diplomuar me sukses në një nga institucionet më prestigjioze ushtarake në botë – Kolegjin e Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një njoftimi zyrtar, FSK ka bërë të ditur se pas një viti të tërë studimesh intensive, oficeri Sada ka përfunduar me sukses programin akademik dhe ka fituar njëkohësisht edhe titullin Master në Studime Strategjike.
“Një falënderim i veçantë për partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që në çdo fushë të zhvillimit ka mbështetur ngritjen profesionale të FSK,” thuhet në deklaratën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kolegji i Luftës i Ushtrisë Amerikane është i njohur për zhvillimin e liderëve ushtarakë dhe civilë në nivelin më të lartë strategjik, me theks në aplikimin e fuqisë tokësore, planifikimin afatgjatë, dhe formulimin e politikave të sigurisë kombëtare.
Diplomimi i Nënkolonel Sadas është një tjetër dëshmi e angazhimit të FSK-së në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe integrimin në standardet ndërkombëtare të sigurisë, si dhe një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të rolit të Kosovës në sigurinë rajonale dhe globale.
Ky sukses reflekton gjithashtu partneritetin e qëndrueshëm me SHBA-në, e cila ka qenë vazhdimisht mbështetëse e zhvillimit profesional dhe institucional të Forcës së Sigurisë së Kosovës.