Punëtorë të gjigantit metalurgjik “Trepça” po ankohen se në këtë ndërmarrje janë duke u bërë diskriminime lidhur me pagat.
Një punëtor i kësaj ndërmarrjeje, që identitetin kërkoi ta mbante të fshehur, tha se ka mbetur në gjendje të keqe financiare për festën e Kurban Bajramit për shkak se nuk i ka dalë paga në konto.
Ai tha se menaxhmenti dikujt ia ka transferuar pagën, e dikujt jo.
“Po bëjnë ndarje, dikujt i kanë dhënë rrogën, e dikujt jo. Madje edhe ata që i kanë paguar, i kanë dhënë vetëm gjysmën e rrogës”, tha ai.
Ky punëtor tha se muajin e kaluar, një pjesë e punëtorëve kanë mbajtur grevë për të shprehur pakënaqësitë e tyre pikërisht për këtë çështje.
E pikërisht për këtë çështje, ai pretendon se kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes, Faton Ahmeti, i ka kërcënuar punëtorët që kanë marrë pjesë në atë grevë, duke iu thënë, sipas tij, se do të mbeten pa paga
Klan Kosova ka kontaktuar Ahmetin, por që i njëjti nuk dha versionin e tij mbi këtë pretendim, por vetëm na drejtoi te Drejtori i Burimeve Njerëzore në ndërmarrje, Besim Xhemajli, për çështjen e pagave.
Ky i fundit konfirmoi se ka vonesa në paga dhe tha se kjo gjendje po vazhdon në 5-6 muajt e fundit për shkak të telasheve me mjete buxhetore.
Ndërkaq, lidhur me atë se pse disa punëtorë janë paguar e të tjerë jo, Xhemajli e hodhi gurin kah Ahmeti.
Ai tha se kjo është çështje buxhetore me të cilën merret kryeshefi ekzekutiv, i cili, sipas Xhemajlit, vendos se cilës njësi t’u lëshohen pagat në bazë të prioriteteve.
Drejtori i Burimeve Njerëzore në ndërmarrjen “Trepça” theksoi se në javën e ardhshme pritet të ekzekutohen edhe pagat e pjesës tjetër që nuk janë paguar.
Kryeshefi Ahmeti është pyetur për çështjen e kërcënimit të pretenduar nga punëtorët, por ai nuk e pranoi t’i ketë kërcënuar ata, por deklaroi se vetëm i ka zbatuar “procedurat ligjore”.
“Në këtë rast nuk e di çfarë është duke trajtuar si kërcënim. Nëse e trajton zbatimin e procedurave ligjore si kërcënim, nuk di çfarë të them në këtë rast”, tha shkurtimisht Ahmeti, për Klan Kosova.
Sipas asaj që është mësuar jozyrtarisht, vetëm punëtorët e “Stan Tërgut” po i marrin pagat me rregull.
Problemet financiare janë duke e përcjellë “Trepçën” pothuajse vazhdimisht viteve të fundit. Korrikun e vitit të kaluar, punëtorët e kombinatit metalurgjik Trepça e patën ndërprerë punën në shenjë pakënaqësie për çështjen e pagave.
Greva të punëtorëve, në kërkim të kushteve më të mira dhe pagave më të larta, ka pasur kohë pas kohe.
“Trepça” është shoqëri aksionare me 80 për qind që aksioneve që janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje