Një sulm ajror masiv rus ka goditur qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, gjatë natës së kaluar, duke lënë pas të paktën tre të vdekur dhe 17 të plagosur, sipas autoriteteve vendase.
Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov, deklaroi se Rusia lëshoi 48 dronë, dy raketa dhe katër bomba rrëshqitëse gjatë sulmit, duke e cilësuar atë si “sulmin më të madh ajror” ndaj qytetit deri më tani.
“Kemi shumë dëme. Janë goditur tre ndërtesa të larta banimi,” tha Terekhov, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po punojnë pa ndërprerje për të gjetur të mbijetuar dhe për të shuar zjarret e shkaktuara nga sulmet.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale dhe nga mediat ukrainase tregojnë kate të tëra të një ndërtese banimi në flakë, ndërsa zjarrfikësit përpiqen të përballojnë pasojat e shkatërrimit.
Në shkallë kombëtare, autoritetet ukrainase konfirmuan se gjashtë persona u vranë dhe rreth 80 të tjerë u plagosën në gjithë vendin, si pasojë e një vale intensive sulmesh nga ana e Rusisë. Më shumë se 400 dronë dhe gati 40 raketa u përdorën në këtë ofensivë të koordinuar.
Rusia ka deklaruar se sulmet ishin një përgjigje ndaj, siç i cilëson ajo, “akteve terroriste nga regjimi i Kievit”, duke pretenduar se objektivat ishin pozicione ushtarake dhe infrastruktura ushtarake ukrainase.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar është duke ndjekur me shqetësim zhvillimet, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të përshkallëzohen. Sulmi i fundit vjen në një moment të ndjeshëm për përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe mbështetjen e Ukrainës në rezistencën kundër agresionit rus.