Kombëtarja e Francës ka rrëmbyer vendin e tretë në Ligën e Kombeve pasi kanë mposhtur Gjermaninë me rezultat të pastër 2-0.
Ndeshjen më mirë e nisi kombëtarja gjermane të cilët rrezikuan në dy raste përmes Nick Woltemade dhe Karim Adeyemit, por Mike Maignan nuk lejoi të mposhtej.
Rasti i parë për ‘Gjelat’ erdhi në minutën e 21-të, por goditjen e fuqishme të Rayan Cherkit e ndali me shumë mund Marc-Andre Ter Stegen.
Në minutën e 31-të Gjermania fitoi një penallti përmes Adeyemit, por pas rishikimit të aksionit në VAR, gjyqtari e anuloi atë dhe e ndëshkoi lojtarin me karton të verdhë për simulim.

Golin e epërsisë Franca e shënoi në minutën e 45-të me anë të Kylian Mbappe i cili realizoi për 1-0 pas asistimit nga Aurelien Tchouameni.
Gjermania mendoi se kishte barazuar shifrat në minutën e 53-të me Deniz Undav i cili realizoi për 1-1, por ky gol u anulua pas rishikimit të aksionit në VAR për ndërhyrje të palejuar ndaj Adrien Rabiot.
Franca pati mundësinë ta shënojë golin e dytë në minutën e 59-të, por Marcus Thuram u ndal nga shtylla.

Për t’i dhënë fund çështjes së fituesit u përkujdes Michael Olise, i cili në minutën e 84-të realizoi në portën bosh për 2-0 pas asistimit nga Mbappe.
Me këtë fitore Franca renditet si e treta më e mira në edicionin e sivjetëm të Ligës së Kombeve, teksa finalja do të luhet me fillim nga ora 21:00 ku do të përballen Portugalia dhe Spanja.