Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale që u ndalua në Serbi të hënën del para Gjykatës në Beograd – reagon MPJD

by Nexhat

Ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu, është ndaluar nga autoritetet serbe më 7 qershor 2025, rreth orës 09:00, në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

banner

Sipas MPJD-së, Spahiu po udhëtonte me autobus së bashku me familjen, gjatë kthimit të tij nga Austria drejt Kosovës.

Menjëherë pas marrjes së informacionit për ndalimin, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka dorëzuar një kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

“Kërkesa ka pasur për qëllim konfirmimin e ndalimit, ofrimin e sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimin mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”, thuhet në përgjigjen e zyrtares së MPJD-së, Qendresa Fazliu.

Spahiu po mbahet aktualisht në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, në rajonin e Vojvodinës.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshorten e tij dhe po ndjek nga afër zhvillimet.

Ai pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake më 9 qershor, në ora 09:00, në Gjykatën Komunale të Kikindës.

MPJD ka njoftuar gjithashtu se ka informuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd lidhur me ndalimin, dhe se do të vazhdojë të ndjekë rastin përmes kanaleve diplomatike, duke mbajtur të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë.

Për këtë rast ka reaguar edhe avokati Arianit Koci, i cili përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se është angazhuar për mbrojtjen e Spahiut.

Sipas tij, i njëjti ka tre vjet që nuk është pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin “Banjska”.

“Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar. Vetëm pak ditë më parë, një ish-polic tjetër – Aleksandar Vlajiq – e ka pranuar fajësinë se ka punuar për shërbimin sekret serb (BIA) dhe është dënuar për spiunazh. Me këtë është vërtetuar se BIA serbe ka vepruar brenda territorit të Kosovës dhe brenda strukturave të saj të sigurisë”, ka shkruar Koci në Facebook.

Koci ka thënë se ndalimi i Arbnor Spahiut po duket si reagim i drejtpërdrejtë ndaj këtij zbulimi, derisa këtë e ka quajtur përpjekje për të frikësuar, për të ndëshkuar dhe për të krijuar pasiguri – sidomos për ata që dikur kanë shërbyer në institucionet e sigurisë së Kosovës.

“Ky është një sinjal i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës: kalimi nëpër Serbi nuk është pa rreziqe. E dini që pak ditë më parë, është ndaluar edhe një ish-deputet. Pas disa orë marrjesh në pyetje, është liruar. Jam angazhuar për mbrojtjen e Arbnorit me të gjitha mjetet ligjore. Por kjo nuk mjafton”, ka thënë ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy