Zyrtarët korrektues në Qendrën Korrektuese të Dubravës kanë parandaluar një tentim për futjen e substancave të dyshuara narkotike brenda objektit.
Rasti ka ndodhur gjatë një bastisjeje rutinore në sallën e vizitave, ku një vizitor u kap me substanca të fshehura në trupin e tij
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, gjatë kontrollit të zakonshëm në kabinën e kontrollit, zyrtarët kanë identifikuar tentativën për kontrabandë dhe kanë vepruar menjëherë.
“Si rezultat, vizita është anuluar dhe vizitori është ndaluar në sallën e vizitave,” thuhet në komunikatë.
Menjëherë pas zbulimit, rasti është përcjellë tek Policia e Kosovës, e cila ka marrë në posedim substancën e dyshuar narkotike dhe ka nisur procedurat ligjore për hetim dhe ndjekje.
Shërbimi Korrektues i Kosovës rithekson angazhimin e tij për kontroll të rreptë dhe parandalim të çdo forme të kontrabandës apo sjelljes së ndaluar brenda institucioneve korrektuese.
“Do të vazhdojmë zbatimin e masave të rrepta të kontrollit, me qëllim të parandalimit të çdo tentative për futje të paligjshme të materialeve të ndaluara në institucionet tona,” ka njoftuar SHKK