26 vjet nga Marrëveshja e Kumanovës – Haradinaj: Populli i Kosovës përjetësisht mirënjohës Amerikës dhe NATO-s

by engel

Sot shënohet 26-vjetori i Marrëveshjes së Kumanovës, dokumenti historik që shënoi fundin e luftës në Kosovë dhe fillimin e tërheqjes së ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë, të cilët për më shumë se një dekadë kishin terrorizuar popullatën shqiptare të paarmatosur.

Në këtë përvjetor, ka reaguar edhe kryetari i AAK-së dhe ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i cili në një postim kujtoi se Marrëveshja e Kumanovës ishte rezultat i një lufte çlirimtare të drejtë dhe të pastër, që kishte fituar besimin dhe përkrahjen e botës demokratike.

banner

“Lufta çlirimtare e UÇK-së, me kauzën e saj të drejtë dhe pastërtinë, kishte arritur të bashkojë në ndihmë të saj të gjitha shtetet demokratike, NATO-n, e udhëhequr nga Amerika, e cila për tre muaj rresht bombardoi Jugosllavinë, shtetin e fundit fashist në Evropë”, shkroi Haradinaj.

Ai kujtoi se për ata që mbijetuan “ferrin e luftës”, Marrëveshja e Kumanovës ishte kulmi i një periudhe të gjatë dhe të dhimbshme.

“Më të vështirat ishin vitet 1990 deri më 1996, ndërsa nga 1997 deri më 1999 ndodhën dy mrekulli që ndryshuan rrjedhën e historisë sonë: së pari, na besoi dhe na përkrahu kombi ynë shqiptar; së dyti, na besuan dhe na qëndruan pranë Amerika dhe NATO.”

Haradinaj theksoi se populli i Kosovës do të mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj aleatëve për lirinë dhe pavarësinë e fituar me gjak dhe sakrificë.

“Shqiptarët përjetësisht i janë falënderues Amerikës për secilën etapë të historisë sonë!”, përfundoi ai.

Marrëveshja e Kumanovës, e nënshkruar më 9 qershor 1999, i dha fund luftës së përgjakshme në Kosovë dhe hapi rrugën për vendosjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s (KFOR) dhe fillimin e një kapitulli të ri për vendin në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy