Pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Donika Gërvalla, ka reaguar duke e cilësuar situatën si një përsëritje të pakuptimtë të një bllokade që tashmë ka humbur logjikën e saj.
Gërvalla i bëri thirrje deputetëve të opozitës që të braktisin këtë strategji, duke i kërkuar atyre të marrin përgjegjësi për votën e qytetarëve dhe të marrin pjesë në votim për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.
“Ishit dëshmitarë të një përsëritjeje të pakuptimtë të një bllokade e cila tashmë e ka humbur kuptimin e vet. Bllokada do të thotë mosvotim dhe pamundëson konstituimin e Kuvendit. I bëj thirrje të gjithë deputetëve të opozitës që të heqin dorë nga kjo strategji destruktive, të marrin përgjegjësi për votën e qytetarëve që kanë marrë dhe të marrin pjesë në votim,” deklaroi Gërvalla.
Deputetja nënvizoi se uniteti duhet të jetë në funksion të shtetit dhe jo të pushtetit, duke theksuar se mënyra e vetme për të demonstruar këtë unitet është përmes konstituimit të Kuvendit dhe jo përmes bllokadave.
Tensionet politike mbeten të larta, ndërsa ende nuk ka një zgjidhje konkrete për tejkalimin e kësaj situate.