Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Edmond Lajçin, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella. Me këtë vendim, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit.
Vendimi i Gjykatës ka sjellë një ndjenjë lehtësimi për familjen e viktimës. Vëllai i saj, Shpat Ukella, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke shprehur mirënjohjen për organet e drejtësisë.
“S’ka si të jetë ndryshe, veç burgim i përjetshëm për ata që vrasin gruan. Ky vendim na ka lehtësuar sadopak dhimbjen që ndiejmë për motrën tonë,” ka shkruar Ukella.
Familja e viktimës e ka cilësuar këtë vendim si një hap drejt drejtësisë, ndërsa rasti vazhdon të ngjallë reagime në opinionin publik.