Përshkallëzohen protestat në Los Anxhelos, Trump dislokon Gardën Kombëtare

by informim peje

Tensionet në Los Anxhelos janë përshkallëzuar pasi mijëra protestues dolën në rrugë duke kundërshtuar dislokimin e trupave të Gardës Kombëtare nga presidenti Donald Trump të dielën.

Protestuesit bllokuan një autostradë të rëndësishme dhe ua vënë zjarrin disa makinave vetëdrejtuese, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, plumba gome dhe shpërthime verbuese për ta kontrolluar turmën.

banner

Shumë protestues u shpërndanë pas rënies së natës, kur policia e shpalli tubimin e tyre të paligjshëm, i cili është paralajmërim për ndërhyrjen dhe arrestimin e atyre që nuk largohen.

Disa nga ata që nuk u larguan hodhën gjësende drejt policisë mbrapa një barrikade të improvizuar që shtrihej përgjatë një rruge, ndërsa të tjerë gjuajtën copa betoni, gurë, skuterë elektrikë dhe fishekzjarrë drejt oficerëve të Patrullës së Autostradës së Kalifornisë dhe mjeteve të tyre të parkuara në autostradën 101 në drejtim të jugut. Oficerët u strehuan nën një mbikalim.

Protestat e së dielës në Los Anxhelos, një qytet me 4 milionë banorë, u përqendruan në disa blloqe në qendër të qytetit.

Kjo ishte dita e tretë dhe më e ashpër e demonstratave kundër vendimit të Trumpit për luftimin e imigracionit në rajon, ndërsa vendosja e 300 trupave të Gardës Kombëtare shkaktoi zemërim dhe frikë te shumë banorë.

Garda u dërgua në Los Anxhelos në veçanti për t’i mbrojtur ndërtesat federale, përfshirë qendrën e ndalimit në qendër të qytetit, ku u përqendruan protestuesit.

Shefi i Policisë së Los Anxhelosit, Jim McDonnell, tha se oficerët ishin “dominuar” nga protestuesit e mbetur. Ai shtoi se në mesin e protestuesve ka edhe provokatorë të rregullt që marrin pjesë në demonstrata për të nxitur trazira.

Dhjetëra persona u arrestuan gjatë fundjavës së protestës. Një person u ndalua të dielën për hedhjen e një koktej molotovi ndaj policisë dhe një tjetër për përplasjen e motoçikletës drejt një vargu oficerësh.

Trump iu përgjigj McDonnellit në Truth Social, duke i kërkuar t’i arrestojë protestuesit me maska në fytyrë.

“Duket shumë keq në LA. SJELLINI TRUPAT!!!” shkroi ai.

Përleshjet u përshkallëzuan me mbërritjen e trupave të Gardës Kombëtare

Trupat e Gardës mbërritën të pajisur me armë të gjata dhe mburoja kundër turmës, ndërsa protestuesit brohorisnin “turp” dhe “shkoni në shtëpi”.

Njëkohësisht, Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit (LAPD) qëlloi me municion për kontrollimin e turmës për të shpërndarë protestuesit, për të cilët tha se u mblodhën në mënyrë të paligjshme. Pjesa më e madhe e grupit më pas bllokoi trafikun në autostradën 101 derisa oficerët e patrullës shtetërore i larguan ata nga rruga deri në orët e pasdites.

Aty pranë, të paktën katër makina vetëdrejtuese, Waymo, u vunë në zjarr, duke krijuar re të mëdha tymi të zi dhe shpërthime herë pas here teksa makinat elektrike digjeshin. Në mbrëmje, policia lëshoi një urdhër për shpërndarje të turmës dhe mbylli disa blloqe në qendër të Los Anxhelosit.

Guvernatori demokrat i Los Anxhelosit, Gavin Newsom, kërkoi nga Trump t’i tërheqë trupat e Gardës në një letër të dielën pasdite, duke e quajtur dislokimin “shkelje serioze të sovranitetit të shtetit”.

Kjo është hera e parë në dekada që Gardë Kombëtare shtetërore aktivizohet pa kërkesën e guvernatorit.

Newsom dhe kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, fajësuan vendimin e Trumpit për të dislokuar Gardën për përshkallëzimin e protestave, duke e quajtur vendimin e tij veprim që synon të nxisë tensione. Ata u kanë bërë thirrje protestuesve të qëndrojnë paqësorë.

“Ajo që po shohim në Los Anxhelos është kaos i provokuar nga administrata”, tha ajo në një konferencë shtypi pasdite. “Kjo ka të bëjë me një agjendë tjetër, jo me sigurinë publike”.

Por, McDonnell, shefi i LAPD-së, tha se protestat po ndjekin një model të njohur të trazirave civile, me intensifikim në ditën e dytë dhe të tretë.

Mbërritja e Gardës Kombëtare pasoi dy ditë protestash që nisën të premten në qendër të Los Anxhelosit, dhe më pas u përhapën të shtunën në Paramount, një qytet me shumicë latine në jug të qytetit, dhe në Comptonin fqinj.

Agjentët federalë arrestuan emigrantë në qarkun e modës të Los Anxhelosit, në një parking të Home Depot-it dhe në disa vende të tjera të premten.

Sipas autoriteteve federale, numri i përgjithshëm i emigrantëve të arrestuar në zonën e Los Anxhelosit këtë javë kaloi 100. Shumë të tjerë u arrestuan gjatë protestave, përfshirë një udhëheqës të njohur sindikate, i akuzuar për pengim të policisë.

Protestat nuk arritën përmasat e demonstratave të mëparshme që sollën Gardën Kombëtare në Los Angeles, siç ishin rebelimet e Watts, Rodney King dhe protestat e vitit 2020 kundër dhunës policore, për të cilat Newsom kërkoi ndihmën e trupave federale.

Hera e fundit që Garda Kombëtare u aktivizua pa lejen e një guvernatori ishte në vitin 1965, kur presidenti Lyndon B. Johnson dërgoi trupa për të mbrojtur një marshim për të drejtat civile në Alabama, sipas Qendrës Brennan për Drejtësi.

Në një dekret të shtunën, Trump përmendi një dispozitë ligjore që e lejon atë të dislokojë forcat federale kur ka “një rebelim ose rrezik për rebelim kundër autoritetit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

Ai tha se kishte autorizuar dislokimin e 2.000 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare./REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy