Protestat kundër bastisjeve të emigracionit në Los Anxhelos kanë hyrë sot në ditën e tretë, duke marrë një kthesë të dhunshme në qendrën e qytetit, e cila tashmë është shpallur “mbledhje e paligjshme” nga autoritetet policore.
Sipas mediave ndërkombëtare, disa automjete janë djegur dhe ka pasur raportime për plaçkitje në disa pjesë të qytetit. Situata e tensionuar ka çuar edhe në plagosjen e disa përfaqësuesve të mediave.
Një fotograf britanik ka pësuar dëmtime të rënda dhe ka pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale pasi u qëllua me plumb sfungjeri, ndërsa një gazetare australiane është qëlluar me plumb jo-vdekjeprurës gjatë raportimit nga terreni.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar përmes një deklarate të cituar nga BBC:
“Gjërat duken shumë keq në LA. Sillni trupat!”
Sipas raportimeve të Klankosova.tv që transmetojnë burime ndërkombëtare, Trump ka thirrur Gardën Kombëtare, pavarësisht kundërshtimit të guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom.
Protestat janë përqendruar kryesisht në zonën qendrore të LA-së, ku janë përfshirë një numër i madh qytetarësh, aktivistësh dhe përkrahës të të drejtave të emigrantëve. Korrespondenti i BBC-së, Peter Bowes, ka raportuar se të dielën në mbrëmje situata ishte më e qetë, por autoritetet mbeten në gjendje gatishmërie.
Ngjarja po ndiqet me shqetësim nga publiku dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat kanë kërkuar përmbajtje dhe respektim të lirisë së shprehjes dhe të medias.