Sot bëhen shtatë vjet nga ndarja nga jeta e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, një figurë e pazëvendësueshme në historinë e sportit në Kosovë dhe më gjerë.
Në nderim të përvjetorit të shtatë të ndarjes së tij nga jeta, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, bashkë me mikun e madh të futbollit kosovar, Jerome Champagne, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë bërë homazhe pranë varrit të Vokrrit në Prishtinë.
Në një njoftim të shpërndarë nga FFK, thuhet:
“Ata shprehën mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të Vokrrit në afirmimin dhe zhvillimin e futbollit kosovar. I përjetshëm kujtimi për Legjendën!”
Fadil Vokrri, përveçse një nga futbollistët më të mëdhenj që ka njohur Kosova, ishte edhe figura kyçe në procesin e pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA. Ai mbetet një simbol i unitetit, përkushtimit dhe luftës për afirmimin ndërkombëtar të futbollit kosovar.
Ceremonia e homazheve sot përkujtoi jo vetëm sportistin, por edhe vizionarin që kontribuoi në realizimin e ëndrrës së shumë brezave për përfaqësim të denjë në arenën ndërkombëtare.