Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka akuzuar Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama se kanë siguruar një pjesë të mandateve të fituara në zgjedhjet e 11 majit përmes bashkëpunimit me grupe kriminale.
Në një intervistë për A2CNN, Vokshi deklaroi se sipas të dhënave të Partisë Demokratike, të paktën 20 deputetë të rinj që pritet të hyjnë në Kuvend në shtator janë përfaqësues të bandave kriminale.
“Rama nuk do të kishte kurrë 83 deputetë, dhe nga llogaritjet tona mbi 20 prej tyre nuk do jenë përfaqësues të qytetarëve, por të bandave kriminale. Janë 10 qarqe, janë 21 bashki ku është dokumentuar ndërhyrja e grupeve kriminale në procesin zgjedhor”, tha ajo.
E pyetur nëse këto akuza janë të provuara, Vokshi u shpreh e bindur për bazueshmërinë e pretendimeve të saj. “Patjetër që i kemi të provuara. Ne kur dalim me një statistikë, i kemi marrë informacione të verifikuara. Mund të jenë edhe më shumë se 20, por këta i kemi të konfirmuar”, shtoi deputetja demokrate.
Ajo përmendi si shembull rastin e Fierit, ku sipas saj, një përfaqësues i një bande është futur në listën e mbyllur të PS-së, ndërsa një tjetër është mbështetur nga bandat në listën e hapur.
Si raste të tjera përmendi Durrësin dhe Elbasanin, duke përmendur konkretisht emrat e Arkend Ballës dhe Sara Miles, të cilët, sipas saj, kanë përfituar mbështetje nga grupe të strukturuara kriminale.
“Në Elbasan, nuk ka njeri që nuk e di që pas Sarës është banda e Suel Çelës. Ka ndihmuar për të siguruar mbi 30 mijë vota”, u shpreh Vokshi, duke theksuar se këto fakte i ka raportuar edhe në SPAK. “Ka aq mundësi sa kemi, e kemi çuar në prokurori, tani është radha e drejtësisë”, përfundoi ajo