Një anije kozmike private japoneze u përplas në Hënë gjatë përpjekjes për të realizuar uljen e parë komerciale të vendit më 5 qershor, ka konfirmuar kompania ispace. Ky është dështimi i dytë për kompaninë me bazë në Tokio, pas përplasjes së një tjetër landeri vitin e kaluar.
Sipas Associated Press, ispace humbi kontaktin me landerin dy minuta para uljes, ndërsa përpjekjet për ta rikuperuar dështuan. Sipas analizave paraprake, dështimi ndodhi për shkak të një defekti në lazerin matës, duke bërë që landeri të mos ngadalësohej siç duhet për të realizuar një ulje të butë.
Resilience u lançua me raketën Falcon 9 të SpaceX më 15 janar dhe hyri në orbitën hënore më 6 maj. Landeri 1,000 kg transportonte pesë pajisje eksperimentale, përfshirë robotin Tenacious, një modul për prodhimin e ushqimit me alga dhe një monitor të rrezatimit hapësinor.
Një nga objektet më interesante ishte një shtëpizë miniaturë e quajtur Moonhouse, e konceptuar nga artisti suedez Mikael Genberg, që ëndërronte të vendoste një shtëpi simbolike në Hënë prej 25 vitesh. Por ky projekt nuk arriti destinacionin e tij.
Ky dështim kujton përpjekjen e parë të ispace në prill 2023, e cila gjithashtu përfundoi me një përplasje për shkak të mungesës së karburantit. Ndërkohë, kompania synon të provojë sërish në 2027, me një lander të ri, Apex 1.0, duke u përpjekur të sigurojë një mision më të suksesshëm.