Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shprehur gatishmërinë e partisë së tij për të ndihmuar në tejkalimin e ngërçit institucional që ka paralizuar Kuvendin e Kosovës për disa muaj.
Në një intervistë për A2CNN, Limaj deklaroi se është i gatshëm t’ia ofrojë Lëvizjes Vetëvendosje tri votat që disponon partia e tij, me qëllim të formimit të institucioneve dhe rifillimit të funksionimit të rregullt të shtetit.
“Partia e parë duhet të vrapojë të bëjë shumicën parlamentare dhe partia e dytë, e tretë dhe radhazi duhet të largohen nga egot individuale dhe të ofrojnë bashkëpunimin për të dalë nga kriza”, tha Limaj, duke nënvizuar se situata aktuale kërkon përgjegjësi kolektive dhe kompromis politik.
Ai u shpreh optimist se një marrëveshje do të arrihet së shpejti dhe se Kosova nuk do të qëndrojë gjatë pa institucione funksionale.
“Në fund të ditës besoj se po, do të vijmë në një marrëveshje politike. Unë besoj që marrëveshja politike do të arrihet, jam i bindur. Besoj që shpejt Kosova do t’i ketë institucionet sepse rrugë tjetër nuk ka”, theksoi lideri i Nismës.
Megjithatë, Limaj ishte i prerë në qëndrimin se Nisma nuk kërkon përfitime politike nga kjo situatë. Ai tha se partia e tij nuk është e interesuar të bëhet pjesë e qeverisë, por do të luajë një rol konstruktiv në Kuvend.
“Nisma do të jetë pjesë e zgjidhjes, sepse kështu e do Kosova. Ne me tre deputetë s’mund të bëhemi pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes. Nisma është e gatshme të japë kontributin e vet në partneritet në Kuvend, por jo në qeverisje. Nuk jemi të interesuar të zëmë një pozicion duke shfrytëzuar momentin që kemi”, deklaroi Limaj.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur bllokimi politik në Kuvendin e Kosovës ka shtuar presionin ndaj partive për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.