Pejë – Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka mbajtur ceremoninë e diplomimit për të diplomuarit e rinj, një ngjarje e shënuar me praninë e lartë të figurave qeveritare, por me mungesën e kryetarit të Komunës së Pejës, së paku kështu kuptohet nga postimi i publikuar në facebook nga Taulant Kelmendi, ish zëvendësministër i ministrisë së arsimit.
Në këtë festë të dijes dhe arritjeve, morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, si dhe zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi. Kelmendi, i cili është edhe një pretendent për kryetar të Komunës së Pejës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ka uruar të diplomuarit, duke theksuar se kjo ceremoni ishte “më shumë se një përmbyllje e procesit akademik, ishte një festë e dijes, përkushtimit dhe sukseseve të studentëve dhe të vetë universitetit.”, ka deklaruar Kelmendi, duke e cilësuar këtë ditë të veçantë, theksoi se prania e Qeverisë ishte edhe për të festuar të arriturat e Universitetit në renditjen ndërkombëtare.
Ai shtoi se qeveria ka investuar mbi 10 milionë euro në krijimin e infrastrukturës së re të universitetit, dhe njoftoi se së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i Inkubatorit të Biznesit, duke e cilësuar si “një mundësi e jashtëzakonshme për të rinjtë e Rajonit të Dukagjinit”.
Mungesa e kryetarit të Komunës së Pejës në këtë ngjarje të rëndësishme ka lënë një pikëpyetje, ndërsa vëmendja u fokusua te prania e lartë e zyrtarëve qeveritarë, përfshirë edhe ata që pritet të largohen me formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të ardhshme.