Ilir Ferati, kryetar aktual i Komunës së Istogut, do të jetë sërish kandidat për të parin e kësaj komune.
Këtë e ka konfirmuar ai për Gazeta Blic, teksa ka thënë se i duhet edhe një mandat për t’i finalizuar punët e mira që ka nisur në këtë komunë.
Por, ai tha se gjatë javës së ardhshme do ta ketë mbledhjen e degës së LDK-së në Istog ku pritet të merret përkrahja për kandidim dhe më pas edhe nga kryesia e LDK-së.
“Në parim po, kemi punë që kanë mbetur të filluara dhe e duan edhe një mandat për ta finalizuar komplet dhe për ta dhënë finalizimin e vizionit që e kemi pasur me krejt grupin kur e kemi marrë kandidaturën dhe me krejt ekspertët që kemi diskutuar e punuar, në mënyrë që t’ia japim një pamje të një qyteti përafërsisht evropian. Por, paraprakisht e kemi procedurën brenda partiake që duhet respektuar dhe është shkollë politike në të cilën jemi rritur, që duhet marrë nominimi i kandidaturës nga dega në Istog dhe pastaj duhet vazhduar tutje për të pritur kandidaturën nga kryesia qendrore në Prishtinë. E kam të planifikuar javën e ardhshme mbajtjen e mbledhjes dhe pastaj pritjen e konfirmimit nga kryesia, pjesë të cilës jam edhe vet”, ka thënë ai.
Ferati ka folur edhe për kundërkandidatët në këtë garë zgjedhore të 12 tetorit
“Ukë Blakaj do të jetë nga AAK kandidat, nëse nuk lëviz diçka, nga VV janë përmendur emra por s’ka diçka konkrete, nga PDK do të jetë Ali Nimanaj, që është nënkryetar te na, jemi në koalicion me ta. Unë kandidatët i respektoj, sikur edhe herën e kaluar, në kuptim të asaj që kanë dhënë partitë në formësim të qytetit të Istogut si politikë lokale dhe mandej edhe bazuar në respekt e ndërtojmë edhe argumentin që kryesore e kemi punën. Punë të mëdha, domethënëse për çdo lokalitet të Istogut, normalisht me theks të veçantë te zonat urbane që janë më të banuara, por pastaj duke u shtrirë edhe në fshatra në mënyrë të barabartë. Konsideroj që për këto 4 vjet nuk ka asnjë fshat të Istogut që nuk është prekur të paktën 2-3 herë me nga një projekt të veçantë për fshatin, duke vazhduar deri te interesat e lagjeve, ndriçim, kanalizim, e të tjera”, ka thënë Ilir Ferati, kryetar i Komunës së Istogut.