Kosova aktualisht ndodhet në një ngërç politik, për shkak të 29 përpjekjeve të dështuara për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Dështimi i njëpasnjëshëm i seancave konstituive, jo vetëm që ka bllokuar formimin e institucioneve të reja, por ka paralizuar funksionimin demokratik të shtetit dhe ka rritur ndjeshëm pakënaqësinë e qytetarëve ndaj klasës politike.
Çështja ka ngecur te zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit – nga të hapur në të fshehtë, është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Nga Presidenca e Kosovës kanë bërë të ditur për Telegrafin se ekipi ligjor i presidentes ka përgatitur një draft që do të mund të dërgohej në Kushtetuese.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
Kujtojmë se lidhur me situatën e krijuar presidentja Vjosa Osmani javë më parë kishte takuar liderët e partive politike në vend, për të diskutuar rreth mundësive për të gjetur një zgjidhje.
Por, as ky takim nuk është që solli ndonjë rezultat.
Kupina tha se ftesa për takime të tilla vlen ende nëse kanë interesim liderët e partive politike.
“Pas takimit të mbajtur më 15 maj 2025, i cili ishte takimi i parë konsultativ, Presidentja i ka ftuar sërish liderët e partive politike në një takim të dytë konsultativ, kësaj here për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale. Gjatë këtij takimi të dytë, Presidentja e ka përsëritur në mënyrë të drejtpërdrejtë ftesën e saj që, nëse partitë politike kanë interes për konsultime shtesë lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ajo është e gatshme të zhvillojë takime të veçanta me secilin prej tyre. Ftesa e Presidentes vlen ende, nëse për një gjë të tillë kanë interesim liderët e partive politike”, u shpreh Kupina.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përsëritur më 5 qershor se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.
Edhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/