Lidhja e Bizneseve të Kosovës, përmes një komunikate për media ka paralajmëruar krizë të thellë për bizneset dhe ekonominë nga liberalizimi i tregut të energjisë, duke shprehur po ashtu edhe shqetësimin e saj për pasojat ‘‘katastrofale’’ që shkaktohen nga tregu i lirë i energjisë,
Nga LBK është deklaruar edhe se bizneset po dëmtohen rëndë dhe se po rrezikohet edhe falimentimi i tyre me humbje ‘‘masive të vendeve të punës’’.
‘‘Ky është vetëm fillimi i një vale të madhe humbjesh që rrezikon të përhapet në gjithë sektorin privat, duke minuar eksportet “Made in Kosova” dhe duke dëmtuar rëndë praninë e produkteve tona në tregjet evropiane’’, thuhet në komunikatë.
Nga LBK është bërë thirrje sërish ndaj ZRRE-së që të ndërpritet procesi i liberalizimit ‘‘derisa të përmbushen kushtet thelbësore për një treg funksional dhe konkurrues’’.
Komunikata:
Lidhja e Bizneseve të Kosovës paralajmëron krizë të thellë për bizneset dhe ekonominë nga liberalizimi i parakohshëm i tregut të energjisë
Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë dhe alarmues për pasojat katastrofale që po shkakton liberalizimi i parakohshëm i tregut të energjisë elektrike. Ky proces, i cili po zbatohet në kushte jo të përshtatshme dhe pa përgatitjen e duhur të tregut, po dëmton rëndë bizneset në Kosovë, duke rrezikuar falimentimin e tyre dhe humbjen masive të vendeve të punës.
Ky është vetëm fillimi i një vale të madhe humbjesh që rrezikon të përhapet në gjithë sektorin privat, duke minuar eksportet “Made in Kosova” dhe duke dëmtuar rëndë praninë e produkteve tona në tregjet evropiane.
Ky skenar alarmant do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në renien e eksportit dhe në zvogëlimin e interesit të investitorëve të huaj, të cilët tashmë janë duke parë me shqetësim klimën e pasigurt dhe kostot e larta të energjisë në Kosovë.
Lidhja e Bizneseve i bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, veçanërisht Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, që të ndërpresë menjëherë procesin e liberalizimit derisa të përmbushen kushtet thelbësore për një treg funksional dhe konkurrues. Çdo vonesë tjetër në marrjen e masave do të rëndojë edhe më tej krizën ekonomike, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e sektorit privat dhe të gjithë ekonomisë kombëtare.
Liberalizimi i tregut është një domosdoshmëri për integrimin energjetik rajonal dhe evropian, por ai duhet të menaxhohet me përgjegjësi maksimale, në mënyrë graduale, të planifikuar dhe të koordinuar me sektorin privat, për të shmangur goditjet shkatërruese sociale dhe ekonomike.
Kerkojmë që ky vendim të shtyhet të implementuari spaku për 1 vit, që të bëhen pregaditjet e secilit inatitucione, që kur fillon të implementohet mos të ketë pasoja.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës qëndron në krah të biznesit dhe punëtorëve të vendit dhe do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje reale dhe të përgjegjshme për të mbrojtur ekonominë dhe të ardhmen e qytetarëve tanë.