Ndërron jetë Dr. Bujar Bukoshi, ish-Kryeministri i Kosovës në ekzil

by engel

Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, sot në moshën 78-vjeçare ka ndërruar jetë Dr. Bujar Bukoshi, një nga figurat më të njohura të skenës politike dhe shëndetësore të Kosovës.

Dr. Bukoshi ishte një nga themeluesit e institucioneve paralele shqiptare gjatë viteve ’90 dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik Ibrahim Rugova. Ai u emërua Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil pas shpalljes së Republikës së Kosovës në vitin 1991 dhe për gati një dekadë punoi nga Gjermania për të sensibilizuar botën perëndimore mbi represionin serb në Kosovë.

banner

I lindur në vitin 1947 në Suharekë, ai përfundoi studimet e mjekësisë në Universitetin e Beogradit në vitin 1971 dhe u specializua në urologji në Prishtinë dhe Beograd në vitin 1977. Më pas vazhdoi studimet në Gjermani, ku mbrojti doktoraturën në fushën e onkologjisë urologjike në Berlin. Përveç kontributit të tij si mjek dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ai luajti një rol kyç në themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku u zgjodh sekretar i përgjithshëm.

Pas luftës në Kosovë, Dr. Bukoshi mori pjesë në negociatat e Rambouillet dhe drejtoi Unionin e Fondeve për Rindërtimin e Kosovës (UFORK), përmes të cilit u rindërtuan shkolla, shtëpi dhe projekte kulturore në vend. Ai më vonë shërbeu si deputet, Ministër i Shëndetësisë dhe Zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, duke kontribuar në reformat në shëndetësi dhe mirëqenie sociale.
Dr. Bukoshi lë pas bashkëshorten, Dr. Zana Bukoshi, tri vajzat Ora, Shota dhe Nita, si dhe nipërit Dardan e Taulant.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy