Nganjëherë, të flasësh për padrejtësitë mund të të kushtojë me vendin e punës. Ndërsa, të dyshohesh se e ke keqpërdoruar atë, mund të të sjellë promovim.
Ermal Kutllovci, zyrtar i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), u përjashtua nga puna pasi sinjalizoi një aferë të dyshuar me rezervat shtetërore. Ndërkohë, Irfan Lipovica, i arrestuar si i dyshuar për keqpërdorime në të njëjtën aferë, u shpërblye me një post më të lartë.
Kutllovci, zyrtari i rezervës shtetërore në MINT, kishte kundërshtuar me shkrim procesin e furnizimit me produkte bazë në vitin 2022, duke e paralajmëruar ministren Rozeta Hajdari se veprimet dhe heshtja e saj binin ndesh me Ligjin bazë për Rezervat Shtetërore të Mallrave. Për çka thoshte se nuk mori kurrë një përgjigje zyrtare.
Në vend të mbrojtjes ligjore si sinjalizues, ai u ndëshkua me përjashtim me arsyetimin ndër të tjera për “mosrespektim të hierarkisë” dhe se ka përdorur “gjuhë nënçmuese dhe aspak profesionale”, ndaj ministres dhe personelit tjetër të kabinetit.
Por, Kutllovci e cilësoi vendimin si një urdhër politik të imponuar nga presioni i ministres Rozeta Hajdari.
“Sot urdhrin politik të ministres Rozeta Hajdari e përfilli absolutisht komisioni disiplinor, i cili nxori vendim skandaloz për largim nga marrëdhënia e punës, natyrisht vendim arbitrar të diktuar e imponuar nga një presion i paparë politik”, shkruante ai.
Sipas tij, ministrja kishte tentuar ta ndalonte të fliste gjatë një vizite më 11 dhjetor 2023.
“Diskutimi im e shqetësoj dhe e nervozoj tej mase, saqë e humbi tërësisht kontrollin dhe e kërkoj hakmarrjen para të gjithëve”, ishte shprehur publikisht ai.
Ai thoshte se Hajdari e kishte kërcënuar hapur me procedurë disiplinore.
“Ministrja Rozeta Hajdari, çuditërisht më kërcënoi hapur para të gjithëve me fjalën ‘mbylle gojën’, saqë iu drejtua me urdhër Daut Latifaj, zv.sekretarit të përgjithshëm dhe kërkoj inicimin e procedurës disiplinore”, ishte shprehur Kutllovci.
Sipas Albanë Hasanit nga Lëvizja FOL, mënyra si u trajtua Kutllovci është një sinjal dekurajues.
“Mënyra se si është trajtuar raportimi i Kutllovcit brenda MINT përcjellë mesazhe dekurajuese për të tjerët që synojnë të sinjalizojnë në të ardhmen. Një ambient ku sinjalizuesit shihen si rrezik dhe jo si aleatë në luftën kundër korrupsionit, nxitet kultura e mosndëshkimit dhe dobësohen përpjekjet për ndërtimin e një administrate të përgjegjshme dhe efikase”, tha Hasani
Për skandalin e rezervave shtetërore, u arrestuan tre persona: dy zyrtarët Haviz Gara e Irfan Lipovica, dhe biznesmeni Ridvan Muharremi. Në dosjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), thuhet se përveç se janë gjetur procedura të kundërligjshme, edhe malli i paguar te kompanitë turke e polake nuk kishte mbërritur kurrë në Kosovë: 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë, me vlerë mbi 600 mijë euro.
Ministrja e MINT, Rozeta Hajdari, në vend të bashkëpunimit me drejtësinë, akuzoi Policinë për “konfiskim të paligjshëm” të dokumenteve të klasifikuara dhe për “rrezikim të sigurisë kombëtare”, duke iu dalë në mbrojte zyrtarëve të arrestuar.
Gzim Shala, hulumtues nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se prova të papranueshme mund të konsiderohen vetëm nëse janë sekuestruar në kundërshtim me ligjin dhe urdhrin e gjykatës.
“Po të ishte kështu, secili ministër do të klasifikonte dosjet me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale. Këtë logjikë nuk e ndjekë as legjislacioni penal në Kosovë, e legjislacionet e shteteve të tjera bashkëkohore”, thotë ai.
Kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti dhe anëtarë të qeverisë, përfshirë dhe ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kritikuan hapur Prokurorinë, duke ndërhyrë publikisht në një proces hetimor.
Më 15 prill 2024, Hajdari u thirr si e dyshuar për keqpërdorim të detyrës, por zgjodhi të heshte gjatë intervistimit.
PSRK tha se ajo “shfrytëzoi të drejtën për të heshtur”, por mbrojtja e saj pretendoi se kishte kërkuar sqarime para se të përgjigjej.
Ndërkohë, kryeministri Kurti u thirr si dëshmitar, por nuk u paraqit, duke kërkuar të intervistohej në zyrën e tij. Gjykata e dënoi me 250 euro për mospërgjigje ndaj ftesave të Prokurorisë
Fillimisht, për të arrestuarit u caktua masa e paraburgimit për një muaj, por Apeli ua zëvendësoi masën me mbrojtje në liri. Pas kësaj, Irfan Lipovica, i dyshuar për keqpërdorimin e pozitës së zëvendëssekretarit, u ngrit në detyrë duke u zgjedhur Drejtor i përgjithshëm i Akreditimit në MINT.
Shala nga IKD thotë se kjo përmbys logjikën e luftës kundër korrupsionit.
“Qasja e ndjekur nga Qeveria dëshmon një qasje negative në kuptim të luftës kundër korrupsionit. Qeveria do të duhej të bashkëpunonte me sistemin e drejtësisë, duke respektuar prezumimin e pafajësisë. Në fakt, ndodhi e kundërta”, thotë ai.
Sipas tij, promovimi i Lipovicës dhe ndëshkimi i Kutllovcit dëmtojnë integritetin institucional.
“Kjo situatë dërgon mesazhin e promovimit të personave të dyshuar dhe hakmarrjes ndaj atyre që sinjalizojnë”, shprehet Shala.
Kurse, Hasani nga FOL thotë se avancimi i një zyrtari nën hetim minon besimin publik.
“Përderisa z. Kutllovci është ndëshkuar për shkak të guximit për të raportuar shkeljet, një zyrtar i dyshuar për përfshirje në ato shkelje, shpërblehet. Kjo situatë krijon një precedent shqetësues, që vë në pikëpyetje integritetin dhe funksionalitetin e shërbimit civil në Kosovë”, thotë Hasani
Sinalizuesi Kutllovci, vendimin për shkarkimin e tij e kishte atakuar në Komisionin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK). Kjo e fundit, Kutllovicit ia ka aprovuar ankesën pjesërisht, duke e kthyer në vendin e punës, por masën ia ka zëvendësuar me “Ndalimi i avancimit në kategori me të lartë për një periudhë 2 vjeçare”. Kutllovci për këtë masë, ka paraqitur padi në gjykatë. Kështu, ai nuk është përgjigjur në pyetjet drejtuar atij, me arsyet se është ende në procedurë gjyqësore, por duke thënë se qëndron prapa gjithë atyre që i ka thënë publikisht.
Hulumtuesja e FOL, thotë se nëse sinjalizuesit vazhdojnë të ndëshkohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, si rasti i Kutllovcit, pasojat për gatishmërinë e zyrtarëve për të sinjalizuar raste të tjera të korrupsionit do të jenë thellësisht negative dhe me ndikim afatgjatë.
“Një situatë e tillë përbën një paradoks alarmues dhe një mesazh thellësisht të gabuar institucional, që përmbush të gjitha elementet e ndëshkimit të tërthortë për shkak të sinjalizimit”, thotë Hasani.
Ministria në anën tjetër nuk ka dhënë përgjigje përse një sinjalizues u ndëshkua, e një i dyshuar u avancua në detyrë.
Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, u ofron sinjalizuesve mbrojtje nga veprimet e dëmshme që mund të jenë si hakmarrje ndaj tyre nga punëdhënësi. Ky ligj synon që të mbrojë nga hakmarrja dhe veprimet e tjera të dëmshme personat të cilët raportojnë keqpërdorime të caktuara
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, hakmarrja ndaj sinjalizuesve është vepër penale, por Prokuroria nuk ka njoftuar nëse ka nisur hetime për ndëshkimin ndaj Kutllovcit.
“Rasti i Ermal Kutllovcit përmbush të gjitha kriteret për t’u trajtuar si një shkelje e drejtpërdrejtë e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve dhe po ashtu, ekziston bazë e mjaftueshme ligjore që Prokuroria të nisë hetimet për hakmarrje institucionale ndaj tij,” thotë Hasani.
Për këtë aferë, Kuvendi krijoi Komision Hetimor për Rezervat Shtetërore, por partia në pushtet e bojkotoi vazhdimisht. Transparency International në raportin e saj përmendi pikërisht këtë rast si dëshmi të mungesës së vullnetit politik për pavarësi të drejtësisë.
“Këto komente, që shpesh diskreditojnë hetimet, ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin publik, rrezikojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe e bëjnë më të vështirë që institucionet e drejtësisë të ushtrojnë funksionin e tyre pa ndikim politik”, përfundon Hasani.
Në këtë klimë, në Kosovë po ngjizet një realitet i rrezikshëm: sinjalizimi ndëshkohet, ndërsa ata që dyshohet se kanë abuzuar shpërblehen. E nëse heshtja bëhet përparësi, guximi po kushton gjithnjë e më shtrenjtë.
Ky artikull është publikuar me mbështetje tëKoalicionit të Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.