Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pesë raste të dhunës në familje janë regjistruar në 24 orët e fundit në vend, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë dhe mirëqenien e viktimave.
Në Prishtinë, një mosmarrëveshje mes një mashkulli dhe një femre ka përfunduar në përleshje fizike, ndërsa në Klinë, një burrë nën ndikim të alkoolit ka kanosur dhe ofenduar një grua tjetër. Të dy rastet janë referuar për procedurë të rregullt nga prokuroria.
Në Pejë, një burrë është arrestuar pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas, ndërsa në Vushtrri, një tjetër rast ka përfshirë një burrë të dehur që ka sulmuar fizikisht një mashkull. Të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Ndërkohë, në Skenderaj është raportuar një rast i dhunës psikike dhe fizike nga një grua ndaj një anëtari të familjes, por nuk ka të lënduar. Ky rast është proceduar në mënyrë të rregullt.