Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot në një takim të veçantë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj. Vizita e Presidentit Begaj vjen në kuadër të aktiviteteve zyrtare për shënimin e 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një prej momenteve më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe institucionale, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe ruajtja e vlerave të përbashkëta historike e kulturore.
“Më 10 qershor 1878, në këtë qytet u hodhën themelet e një organizimi historik që do të shënonte kthesë në lëvizjen për çlirim dhe bashkim kombëtar. Sot, 147 vjet më vonë, e kujtojmë me respekt dhe nderim këtë ditë që i dha zë aspiratës së shqiptarëve për liri,” u shpreh kryetari Totaj pas takimit.
Presidenti Begaj, ndërkaq, vlerësoi Prizrenin si një qytet me peshë të veçantë historike dhe kulturore, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar. Ai nënvizoi se Lidhja e Prizrenit mbetet simbol i unitetit kombëtar dhe vizionit për një të ardhme të përbashkët.
Në kuadër të vizitës së tij, Presidenti i Shqipërisë mori pjesë edhe në aktivitetet përkujtimore që po mbahen në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u zhvilluan homazhe, fjalime përkujtimore dhe ekspozita historike.