Promovohen tre libra të Sabri Hamitit, Abdixhiku: Prej figurave më të ndritura të mendimit shqiptar

by Nexhat

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka cilësuar Sabri Hamitin si një nga figurat më të ndritura të mendimit shqiptar, ‘‘një urë mes letërsisë si art dhe dijes si përkushtim’’.

Tutje, i pari i LDK-së, ka thënë edhe se mirënjohja për Hamitin është mirënjohje për një gjurmë të thellë në kulturën tonë kombëtare, dhe se i njëjti  është shkruesi i heshtur i shumë kapitujve të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqipe, por  edhe një nga interpretuesit më të thellë të Rugovizmit kulturor.

banner

Abdixhiku këto komente i ka dhënë përmes një postimi në Facebook, pasi që sot, në Bibliotekën Kombëtare janë promovuar tre librat e rinj të Sabri Hamiti; “Prishtina mon amour”, “Maja” dhe “Kanoni letrar”.

Postimi:

‘Âsht fat me u plakë në Prishtinë

Dhe dekën me e pasë në Prishtinë

Edhe shêjën e gjakut me e lanë.

Të gjitha udhët nisen nga Prishtina.’

Sot, në Bibliotekën Kombëtare u promovuan tre librat e rinj të Akademik Sabri Hamitit. “Prishtina mon amour”, “Maja” dhe “Kanoni letrar”.

‘Prishtina mon amour’ është një antologji e poezive të Sabri Hamitit si homazh për Prishtinën e tij e tonën, si topos të jetës e të kulturës, të dashurisë deri në dhembje personale dhe universale.

‘Maja’ është drama më e re Sabri Hamitit. E shkruar më 2007, e sheh dritën tash. “Dramë në tri akte e dy kohë”, vepra dramatike e tematizon luftën shqiptare për çlirim të Kosovës, e situuar në luftën dhe në pasluftën e vitit 1999.

Gjersa ‘Kanoni letrat’, i përbërë prej dy pjesëve, përmban paraqitje të përmbledhura të tetë librave të kritikës letrare që ka botuar Hamiti në njëzet e pesë vitet e fundit, si dhe një ese kritike.

Akademik Sabri Hamiti është një prej figurave më të ndritura të mendimit shqiptar – një urë mes letërsisë si art dhe dijes si përkushtim. Me penën e tij të mprehtë dhe mendjen e hollë, ai i dha kuptim një epoke, duke vendosur themele të reja në kritikën letrare, teorinë estetike dhe përfaqësimin e identitetit kulturor shqiptar. Si shkrimtar e studiues, ai nuk shkroi thjesht libra – por horizonte. Nuk ngriti thjesht teori – por vizione. Në një kohë të përplasjeve të mëdha mes mendësive të vjetra dhe ideve të reja, Sabri Hamiti zgjodhi guximin e fjalës së lirë dhe thellësinë e mendimit kritik.

Mirënjohja për Akademik Hamitin nuk është vetëm nder për një njeri – është mirënjohje për një gjurmë të thellë në kulturën tonë kombëtare. Ai është shkruesi i heshtur i shumë kapitujve të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqipe dhe një nga interpretuesit më të thellë të Rugovizmit kulturor. Mësimet e tij kanë formuar breza të tërë krijuesish dhe mendimtarësh, ndërsa qetësia e tij shpirtërore ka qenë burim frymëzimi për të gjithë ata që e kuptojnë artin si mision dhe kombin si përgjegjësi. Për gjithë këtë trashëgimi të çmuar, për fisnikërinë e fjalës dhe qëndresës, ne  e nderojmë me respekt të thellë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy