Kanë kaluar 22 vite që nga fluturimi i fundit i Concorde, avionit legjendar supersonik që arrinte deri në 2,179 kilometra në orë. Me këto shpejtësi mbresëlënëse, udhëtimi nga Londra në Nju Jork zgjaste vetëm tri orë. Megjithatë, një ndalim i vendosur në SHBA që prej vitit 1973 i kufizonte fluturimet mbi tokë për shkak të zhurmës së lartë që krijojnë këto avionë kur tejkalojnë shpejtësinë e zërit. Tani, ato fluturime të shpejta – dhe shumë të zhurmshme – mund të rikthehen në qiell.
Presidenti Donald Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që kërkon nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) të krijojë një standard për certifikimin e zhurmës nga avionët supersonikë civilë. Kjo mund t’i hapë rrugë fluturimeve më të shpejta, nëse kompanitë arrijnë të zhvillojnë teknologji më të qeta dhe më të përballueshme.
Risia e teknologjisë dhe sfida e zhurmës
Kur avionët kalojnë Mach 1 (rreth 1,234 km/h), krijohet një “bum sonor”, tingull shpërthyes që mund të shqetësojë qytetarët në zonat ku fluturojnë këta avionë. Për këtë arsye, FAA vendosi ndalimin e fluturimeve supersonike civile mbi tokë më 27 prill 1973. Por sot, kërkimet tregojnë se kjo zhurmë mund të zvogëlohet ndjeshëm falë teknologjisë moderne.
Kompania Boom dhe modeli i ri “Overture”
Kompania Boom, me seli në Colorado, po punon në avionin “Overture” që synon të transportojë 64–80 pasagjerë me shpejtësi Mach 1.7. Prototipi aktual, XB-1, kohët e fundit realizoi fluturimin e parë supersonik eksperimental, duke tërhequr vëmendjen e linjave si American Airlines dhe United.
Urdhri i Trump përmban rregulla të qarta: avionët mund të fluturojnë supersonikisht mbi tokë vetëm nëse nuk shkaktojnë zhurmë të dëgjueshme në nivelin e tokës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, zhvillimet e fundit në inxhinierinë ajrore e bëjnë këtë teknologji “të sigurt, të qëndrueshme dhe komercialisht të zbatueshme.”
NASA dhe teknologjia “thump” në vend të “boom”
Edhe NASA po kontribuon me avionin e saj eksperimental X-59, i cili synon fluturime supersonike me zhurmë minimale. Motori i vendosur në pjesën e sipërme të trupit dhe struktura aerodinamike ndihmojnë në uljen e presionit që arrin në tokë, duke e zëvendësuar bum-in tradicional me një trokitje (“thump”) më të butë.
Kostot dhe ndikimi mjedisor – sfida të pazgjidhura
Megjithë përparimin teknologjik, sfidat mbeten. Concorde konsumonte 22 ton karburant në orë, dyfishin e një Boeing 747 që mbante katër herë më shumë pasagjerë. Boom premton përdorimin e karburanteve të qëndrueshme, por fluturimet në lartësi të mëdha mund të rrisin ndikimin afatgjatë në atmosferë.
A do të jetë ekonomikisht i vlefshëm?
Çmimi i lartë për operim dhe shërbimet premium kanë qenë faktorë që e bënë Concorde-in të papërfitueshëm. Kompanitë duhet të gjejnë një model të qëndrueshëm për t’u ofruar klientëve fluturime më të shpejta pa çmime të paarritshme.Largimi i ndalimit është një hap i parë domethënës – por rruga drejt rikthimit të fluturimeve komerciale supersonike sapo ka nisur. /Gizmodo