Një takim trilateral u raportua se do të zhvillohet në Bruksel në mes të emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, kryenegociatorit nga Kosova, Besnik Bislimi, si dhe atij nga Serbia, Petar Petkoviq.
Në një përgjigje për mediat, Bashkimi Europian tha se për këtë takim do të njoftojë në kohën e duhur.
“Ne do të njoftojmë në kohën e duhur”, u tha shkurt në përgjigje.
Petkoviq në një postim në Instagram pak më herët tha se është në Bruksel duke i bërë përgatitjet për një takim trilateral me Bislimin nën lehtësimin e Sorensenit.
“Atmosfera e punës në delegacionin e Beogradit në Bruksel para bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së”, ka shkruar Petkoviq.
Javën e kaluar, Sorensen në takime të ndara priti në Bruksel Bislimin dhe Petkoviqin. Të parin e takoi më 2 qershor, ndërsa tjetrin një ditë pas.
Në njoftimet për këto takime, Sorensen tha se ka diskutuar për përgatitjet e një takimit të përbashkët, por pa e treguar datën.
“Prita në takim kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi për përgatitje të një takimi trepalësh të dialogut në Bruksel. Diskutuan një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha Sorensen, duke shtuar se planifikojnë të organizojnë takimin “shumë shpejt”.