Zoran Vukotiq është shpallur fajtor dhe është dënuar me 15 vjet burgim për vrasjen e një fëmije 13-vjeçar gjatë luftës në Kosovë.
Ai u lirua nga akuzat e tjera pasi kishte 4 aktakuza të bashkuara në një proces.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të datës 23.06.2017, Vukotiq akuzohet se në bashkëkryerje ka vrarë të miturin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13-vjeçare, B.M., në Vushtrri.
Vukotiq në aktakuzën e parë të Prokurorisë Speciale, të ngritur më 20.04.2017 akuzohet se mes datës 2 dhe 3 maj 1999, në cilësinë e zyrtarit policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, duke vepruar në bashkëkryerje me anëtarë të forcave serbe, ka marrë pjesë në një sulm ndaj popullatës civile shqiptare që udhëtonin në një autokolonë mes fshatit Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme.