Sot LDK ka mbajtur komemoratike për nderim të Bujar Bukoshit, i cili vdiq dje. Lumir Abdixhiku, në një postim në Facebook ka thënë se sot u përkujtua me mirënjohje jeta dhe vepra e Bukoshit.
“Në mbledhjen komemorative të organizuar nën patronatin tim, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përkujtuam me mirënjohje jetën dhe veprën e Dr. Bujar Bukoshit – ish-Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil, simbol i përkushtimit institucional dhe njeri i idealeve të mëdha në kohë të errëta për kombin tonë.”
Ai ka shtuar se Bukohi ishte model i durimit dhe maturisë në kohë sfidash.
“Bujar Bukoshi ishte jo vetëm simbol i përkushtimit institucional, por edhe model i durimit e maturisë në kohë sfidash. Ai i shërbeu vendit me dinjitet dhe me përkushtim – si mjek, si kryeministër, si patriot drejt organizimit civil, administrativ dhe ushtarak të Republikës.”
Ai i ka shprehur ngushëllime familjes Bukoshi.
“E nderuara Zonja Zana Bukoshi, e nderua Ora, Shota e Nita, Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh mirënjohjen tonë më të thellë për jetën dhe veprën e Bujar Bukoshit. Ai ishte një ndër themeluesit tanë, një figurë pa të cilin nuk mund të kuptohet historia e LDK-së dhe vet shtetit të Kosovës.”
Abdixhiku ka thënë se Kosova do ta kujtojë Bukoshin gjithmonë si kryeministër të lirisë, ndërsa LDK si bashkëthemelues të shpirtit të saj politik.
“Sot, me dhimbje në zemër, por me krenari në kujtim, ne e vendosim emrin e tij në panteonin e figurave që e kanë mbajtur mbi supe barrën më të madhe të historisë sonë. Kosova do ta kujtojë gjithmonë si Kryeministrin e Lirisë. LDK do ta kujtojë gjithmonë si bashkëthemeluesin e shpirtit të saj politik. Historia do ta njohë gjithmonë si burrështetasin e kohëve të vështira. Dhe ne – ne do ta kujtojmë përherë si njeriun që na mësoi se shërbimi është forma më e lartë e atdhedashurisë. U prehsh në paqe, Dr. Bujar Bukoshi. Lavdi jetës dhe veprës sate!”