Nëse negociatat bërthamore dështojnë dhe lind konflikt me Shtetet e Bashkuara, Irani do të godasë bazat amerikane në rajon, ka thënë të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, disa ditë përpara një raundi të gjashtë të planifikuar të bisedimeve bërthamore Iran-SHBA.
“Disa zyrtarë nga pala tjetër kërcënojnë me konflikt nëse negociatat nuk japin rezultate. Nëse na imponohet një konflikt… të gjitha bazat amerikane janë brenda mundësive tona dhe ne do t’i shënjestrojmë ato me guxim në vendet pritëse”, ka thënë Nasirzadeh gjatë një konference javore për shtyp.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka kërcënuar vazhdimisht Iranin me bombardime nëse nuk arrin një marrëveshje të re bërthamore.
Raundi tjetër i bisedimeve është planifikuar këtë javë, me Trumpin që thotë se negociatat do të mbahen të enjten, ndërsa Teherani thotë se ato do të zhvillohen të dielën në Oman.
Irani pritet të paraqesë një kundërpropozim ndaj një oferte të mëparshme të SHBA-së për një marrëveshje bërthamore që e hodhi poshtë, me Trumpin që tha të martën se Irani po bëhej “shumë më agresiv” në bisedimet bërthamore.
Teherani dhe Uashingtoni janë përplasur për çështjen e pasurimit të uraniumit në tokën iraniane, të cilën fuqitë perëndimore e konsiderojnë si një rrugë të mundshme drejt zhvillimit të armëve bërthamore.
Irani pohon se programi i tij bërthamor është thjesht për qëllime civile.
Një tjetër pikë ngërçi në bisedime ka qenë programi i raketave të Iranit. Raketat balistike përbëjnë një pjesë të rëndësishme të arsenalit të Iranit.
Nasirzadeh tha se Teherani kohët e fundit testoi një raketë me një kokë luftarake dy tonëshe dhe nuk pranon kufizime.
Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei kishte thënë në shkurt se Irani duhet të zhvillojë më tej ushtrinë e tij, përfshirë raketat e tij.