Komuna e Prishtinës mbanë seancë solemne për Ditën e Çlirimit, Rama ndan mirënjohje për Ekrem Bardhën

by Nexhat

Komuna e Prishtinës ka mbajtur sot seancë solemne me rastin e përvjetorit të Ditës së Çlirimit të kryeqytetit.

Seanca nisi me himnin e Republikës së Kosovës dhe himnin kombëtar.

banner

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha kjo ditë shënon fundin e një okupimi shekullor dhe datën e një fillimi të ri.

“Sot me 11 qershor, ndalemi për të kujtuar një nga momentet më të rëndësishme të historisë tonë, ditën kur Prishtina u çlirua. 11 qershori 1999 shënoi fundin e një okupimi shekullor dhe ishte dita e një fillimi të ri, ku fjalët liri dhe pavarësi nuk ishin më të ndaluara. Nuk mund të mos përmendim sot në këtë ditë presidentin, Ibrahim Rugova i cili ishte rezistencë paqësore e shtetit dhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin i cili me flijimin e vet dhe të tërë familjes e vulosi përfundimisht të drejtën tonë për liri”, tha fillimisht Rama.

Rama në këtë ditë publikisht i dorëzoi mirënjohjen e kryeqytetit veprimtarit shqiptaro-amerikan, Ekrem Bardha.

“Çdo 11 qershor përulemi me respekt ndaj atyre që e bënë këtë ditë të mundshme. Përkrah ushtarëve qëndrojnë edhe ata që luftuan nga larg, sot kemi nderin që me ne është heroi i gjallë Ekrem Bardha. Ekrem Bardha është nga figurat më të shquara të diasporës shqiptare, iku nga Shqipëria në vitet 50’ta për t’i ikur regjimit komunist. Me punë të palodhshme ai u kthye në një zë të dëgjuar jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe në lobin amerikan. Për shumë vite ishte pronar i gazetës “Iliria në New York”. Bardha loboi fuqishëm në Washington duke u bërë ndër zërat më të spikatur për vetëdijësimin e çështjes së Kosovës në Amerikë”, shtoi Përparim Rama, transmeton KosovaPress.

Kuvendi i Prishtinës miratoi propozimin e kryetarit të Prishtinës për emërtimin e parkut të ri të kryeqytetit në lagjen “Kalabria” në emër të Ekrem Bardhës.

“Dua të propozoi që parku i ri në lagjen Kalabria i cili është më i madhi në Prishtinën e re të mbajë emrin parku “Bardha”. Sot në emër të qytetit të Prishtinës kam nderin t’ua dorëzojë mirënjohjen e kryeqytetit të Prishtinës, u falenderoj për dashurinë tuaj të pakushtëzuar”, përfundoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Pas ndarjes së mirënjohjes veprimtari, Ekrem Bardha përkujtoi kohën e lobimit të tij dhe diasporës amerikane për çështjen e Kosovës. Bardha tha se kjo ditë është një ëndërr që u realizua me shumë sakrifica.

“Jam i prekur me të vërtetë, por mund të them që prapë mendoj se a është e vërtetë që unë të jem në Prishtinë dhe të gëzojmë lirinë e Kosovës. Kjo ka qenë një ëndërr e cila u realizua. Besoj që diaspora amerikane ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Një meritë e madhe është lufta e UÇK-së dhe me liderin e Kosovës Ibrahim Rugova që i tregoi popullit amerikan zemrën e popullit të Kosovës. Kjo politikë e tij ka ndikuar deri te presidenti Clinton. Me krenari të madhe vizituam sot ata nga të cilët fituam lirinë që kemi sot. Diaspora u bashkua rreth flamurit kombëtar dhe se kur shqiptarët bashkohen fitojnë. Kam kuptuar se Amerika është vendi i çudirave, pata mundësi që me atë sukses që pata të jap kontribut të palodhshëm”, tha Ekrem Bardha.

Fatmir Sopi përfaqësues i degës së organizatave të dalura nga lufta tha se kjo ditë erdhi si rezultat i sakrificës së shumë njerëzve që sakrifikuan gjithçka për liri.

“Sot me 11 qershor kujtojmë një nga ditët më të ndritshme të historisë sonë. Ditën kur zemra e Kosovës u çlirua. Ky çlirim nuk erdhi lehtë, ishte rezultat i sakrificës së madhe të bijëve dhe bijave të këtij vendi. Në këtë ditë kujtojmë me nderim të gjithë dëshmorët e kombit. Kujtojmë ata që u sakrifikuan dhe sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur identitetin tonë kombëtar. Prishtina si kryeqytet jo vetëm se ishte simbol i rezistencës, por shenjë e organizimit politik dhe ushtarak. Sot kujtojmë një ndjenjë një betim një amanet, përkujtojmë luftën për liri si vlerë e përhershme”, tha Sopi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy