Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot pasdite, në orën 15:00, për të zhvilluar mbledhjen e parë pas shpalljes të datës së Zgjedhjeve Lokale 2025.
Në këtë takim, KQZ pritet që të miratojë afatet e aktiviteteve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Kjo është bërë e ditur për media nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se çfarë përmban një plan i aktiviteteve zgjedhore.
“Miratimi i afateve dhe i planit të aktiviteteve do të përcaktojë saktësisht fillimin dhe përfundimin e çdo aktiviteti zgjedhor. Këto aktivitete, që ndërlidhen drejtpërdrejt me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve, ndër të tjera përfshijnë: aplikimi i subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje dhe dorëzimi i listës së kandidatëve; verifikimi i përshtatshmërisë/aftësisë së kandidatëve; deklarimi i partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit; periudha e regjistrimit si votues jashtë Kosovës dhe votimi jashtë Kosovës; periudha për regjistrimin dhe Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VNPV); periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar; periudha për aplikimin dhe akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve dhe mediave; periudha emërimin e trupave zgjedhore (Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e Vendvotimeve) dhe trajnimin e tyre; certifikimi i Listës së Votuesve, e të tjera”, ka thënë Elezi.