Qeveria në detyrë e Kosovës ka konfirmuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta. Ky hap synon të lehtësojë procesin e riatdhesimit të tyre, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga autoritetet kosovare.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë në detyrë, ka deklaruar për RTKlive se Kosova do të angazhohet në këtë proces, duke pasur mundësinë të përzgjedhë individë bazuar në një listë të propozuar, me kushtin që ata të përmbushin standardet e vendosura për rendin publik dhe sundimin e ligjit.
Sipas tij, zhvendosja do të realizohet për një periudhë njëvjeçare, ku deri në pesëdhjetë persona do të mund të strehohen përkohësisht, përpara kthimit të tyre në vendet e origjinës.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka ripërsëritur rëndësinë e partneritetit të saj me SHBA-në, duke e cilësuar atë si një aleat të palëkundur në rrugën e integrimit euroatlantik. “Mbështetja e SHBA-së ka qenë kyçe për Kosovën, dhe ne do të vazhdojmë bashkëpunimin në çështje me interes të përbashkët,” ka theksuar Kryeziu.
Ky zhvillim vjen në një moment ku Kosova dhe SHBA po forcojnë lidhjet e tyre në fushën diplomatike dhe të sigurisë, duke synuar stabilitetin rajonal dhe global. Autoritetet kanë paralajmëruar se më shumë detaje mbi procesin e zhvendosjes do të bëhen publike në ditët në vijim.