Tepër i ashpër ka qenë legjenda e futbollit shqiptar Ledio Pano me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvinho, pas barazimit 1-1 që Shqipëria mori me ekipin modest të Letonisë, duke zbehur drejt zeros shpresat edhe për një vend të dytë në grup në eliminatoret e botërorit.
Pano nuk e cilëson Sylvinhon si një trajner dhe e bën përgjegjës kryesor për të dyja rezultatet e fundit. Sipas tij, braziliani e ka humbur mbështetjen dhe duhet të largohet.
“Kjo kombëtare nuk më bind. Pritshmëritë janë të mëdha. Shumë lojtarë luajnë në Itali, por nuk po tregojnë vlerat, ose ne presim dicka më shumë nga ata. Cilësia e tyre tregohet dhe nga minutazhi i paktët ku ata luajnë dhe në ekipet e tyre. Ishte një ndjeshje që ne duhet ta fitonim në Letoni. Bëmë shumë gabime në kuptimin e mëndjes, sepse me topin ne luajtëm, e mbajtëm atë, por në zona që nuk i hyjnë në punë askujt. Në eliminatoret për Evropianin, Sylvinho bëri mirë.
Por kontradiktat me të nisën me listat e Evropianit. Mendoj se ai nuk e ka më mbështetjen e tifozerisë shqiptare dhe mendoj që ka ardhur koha të ndahet. Një pjesë të përgjegjësisë e ka dhe ai. Duhet ta lexojë ndeshjen dhe të bëjë ndryshime. Vonohet sepse nuk është trajner. Ai mund të jetë një seleksioner. Ai po mëson dorën. Do të doja të ndryshonte. Një trajner nuk mund të hedhë të njëjtët lojtarë”, tha Pano në Dita Jonë në A2 CNN.