Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se dërgoi Gardën Kombëtare dhe Marinsat për të “çliruar” Los Angelesin nga dhuna e protestuesve, por disa banorë të Little Tokyo, një lagje e goditur më rëndë nga trazirat, thonë “jo faleminderit”, z. President.
Një duzinë njerëzish që jetojnë, punojnë ose frekuentojnë lagjen, ku dëgjohet të flitet japonisht po aq shpesh sa anglishtja në dyqane dhe restorante, i thanë të martën Reuters se përdorimi i ushtrisë nga Trump po ndezte protestat kundër bastisjeve të fundit të imigracionit në Los Angeles.
“Dërgimi i Gardës Kombëtare dhe Marinsave nga presidenti vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat, i ka çmendur protestuesit”, tha Sulieti Havili, e cila jeton aty pranë dhe ndihmon në drejtimin e një klubi Pokemon me mbi 6,000 anëtarë që luan rregullisht në Little Tokyo. “Ata nuk po bëjnë asgjë për të mbrojtur këtë komunitet.”
Havili, 25 vjeç, e cila po mblidhte mbeturina në Little Tokyo me partnerin e saj në klubin Pokemon, Nolberto Aguilar, 42 vjeç, tha se i ishte e qartë se dërgimi i mijëra personelit ushtarak nga Trump kishte “nxjerë në pah më të keqen tek protestuesit” dhe vetëm sa kishte përkeqësuar situatën.
Aguilar shtoi se vendosja e trupave nga Trump po pengonte vullnetin e shumicës së qytetarëve të Los Angeles dhe udhëheqësve lokalë, duke i dhënë shtysë zjarreve të krijuara nga bastisjet e imigracionit të ICE, të cilat ai tha se kishin në shënjestër imigrantët që zbatonin ligjin.
Administrata Trump thotë se bastisjet e saj të emigracionit po arrestojnë kriminelë de facto për mungesë dokumentesh të duhura për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka thënë se përdorimi i personelit ushtarak për të luftuar protestat kishte “nxitur një situatë të nxehtë” dhe paralajmëroi se “demokracia është nën sulm”. Kryetarja e Bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, ka thënë se përdorimi i trupave nga Trump ishte një përpjekje e qëllimshme për të krijuar “kaos”.
Administrata Trump i hedh poshtë fuqimisht akuzat dhe thotë se veprimet e tyre ishin të nevojshme përballë pamundësisë së udhëheqësve lokalë dhe shtetërorë për ta vënë situatën nën kontroll.