Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën për Ditën e Çlirimit, duke thënë se Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës.
Ai tha se forcat e NATO-s i dhanë fund një prej faqeve më turpëruese të historisë moderne të njerëzimit me ndaljen e spastrimit etnik e masakrave.
“Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë! 26 vjet më parë, trupat paqeruajtëse, të udhëhequra nga NATO, hynë në Kosovë, duke ndalur masakrat çnjerëzore dhe spastrimin etnik kundër popullsisë civile që po ndodhte në zemër të Evropës”.
Begaj tha se në këtë ditë nderon luftën e UÇK-së dhe falënderon vendet aleate.
“Sot nderojmë luftën heroike të UÇK-së dhe falënderojmë aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë që i dhanë fund një prej faqeve më turpëruese të historisë moderne të njerëzimit dhe mbështetën më tej ndërtimin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës, besimplotë në të ardhmen e përbashkët evropiane!”